BALLKAN, 24 Prill 2026, 14:34

Kuvendi i Kosovës ratifikon marrëveshjen për anëtarësimin e vendit në Bordin e Paqes

Kuvendi i Kosovës ratifikon marrëveshjen për

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë ratifikuar këtë të premte marrëveshjen ndërkombëtare për anëtarësimin e Kosovës në Bordin e Paqes, nismës së presidentit amerikan, Donald Trump për zgjidhjen e konflikteve në botë.

Marrëveshja u ratifikua me 103 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.

Haxhi Avdyli, nga grupi parlamentar i LVV, tha se anëtarësimi në Bordin e Paqes është hap me rëndësi strategjike për Kosovën. Edhe partitë opozitare thanë se anëtarësimi i Kosovës në këtë bord është në interes të vendit.

Kosova dhe Shqipëria janë të vetmet shtete nga rajoni i Ballkanit Perëndimor që i janë bashkuar Bordit të Paqes. Më 19 shkurt, ish presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani mori pjesë në takimin inaugurues të Bordit të Paqes.

Bordi do të udhëhiqet nga Trumpi, ndërkaq ai do të ketë edhe Bordin Ekzekutiv ku janë emëruar disa anëtarë.

Ky mekanizëm është formuar me synimin që të mbikëqyrë zbatimin e planeve të paqes në zonat e konfliktit, me fokus fillestar në Rripin e Gazës dhe në rindërtimin e enklavës palestineze.