TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Policia e Kosovës ka arrestuar të martën konspiracionistin Arianit Sllamniku, nën dyshimet për ushtrim të kundërligjshëm të veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike, si dhe për eksperimente të kundërligjshme mjekësore dhe testim të barërave.
Mediat në Kosovë raportuan të hënën se Sllamniku u ka shitur disa personave ilaçe për kafshë, me pretendimin se ato shëronin autizmin te fëmijët.
Sllamniku është ndaluar për 48 orë me urdhër të Prokurorisë Themelore të Gjilanit. Ndërkohë, Policia e Kosovës në Gjilan u ka bërë thirrje qytetarëve që kanë marrë shërbime shëndetësore ose konsultime nga Arianit Sllamniku dhe që mendojnë se mund të jenë dëmtuar, qoftë materialisht ose shëndetësisht, të paraqiten në ambientet e Njësisë së Hetimeve Rajonale në Gjilan për intervistim.
Ministria e Shëndetësisë ka reaguar ndaj këtij rasti, duke u bërë thirrje qytetarëve që t’u besojnë vetëm metodave të verifikuara shkencërisht dhe të mos bien pre e mashtrimeve.
“Ministria e Shëndetësisë ka ndjekur me shqetësim raportimet në media dhe në rrjete sociale lidhur me pretendimet se një individ dyshohet se ka ofruar ilaçe, duke i paraqitur ato si trajtim për autizëm. Ministria e Shëndetësisë u bën thirrje qytetarëve që t’u besojnë vetëm metodave të verifikuara shkencërisht, të cilat ofrohen nga institucione dhe profesionistë shëndetësorë të licencuar”, thuhet në reagimin e MSH-së.