BALLKAN, 18 Qershor 2024, 13:57

Kroaci/ Kryetari i Kuvendit mori djalin e tij në avionin qeveritar për ndeshjen kundër Spanjës! Nis hetimi

Kroaci/ Kryetari i Kuvendit mori djalin e tij në avionin qeveritar për

Në Kroaci po konsiderohet si një skandal politik, fakti që kryetari i Kuvendit, Gordan Jandrokoviç mori në avionin qeveritar djalin e tij për të parë ndeshjen kundër Spanjës.

Sipas mediave vendase, Komisioni për Vendime për Konflikt të Interesit ka hapur një rast hetimi ndaj kryeparlamentarit kroat.

“Ne kemi mësuar nga mediat se kryetari i Kuvendit mori djalin e tij me avion shtetëror për në kampionatin e futbollit dhe kemi marrë edhe disa pyetje nga gazetarët dhe pas kësaj kemi vendosur të hapim rastin”, tha zëdhënësja e Komisionit, Mia Juriniç.

Në pyetjen e politikanëve të tjerë që kanë shfrytëzuar avionin shtetëror për të shkuar në ndeshje, Komisioni thotë se çështja gjithmonë mund të zgjerohet nëse gjatë procedurës konstatohen rrethana shtesë.

Nga ana tjetër Jandrokoviç ka reaguar duke u shprehur se është “krijuar përshtypja se bëra diçka që nuk ishte praktikë dhe në përputhje me rregullat”.

“Veprova siç ishte praktika në Katar. Kam marrë një ftesë për të ndjekur ndeshjen. Është praktikë aktuale ku vendi pritës fton përfaqësuesit e vendeve pjesëmarrëse të vijnë dhe të shikojnë ndeshjen. Protokolli i qeverisë është njoftuar se 8 vende janë të destinuara për delegacionin e Republikës së Kroacisë. Sa i përket djalit tim… Në kampionatin botëror në Katar shkuam në shoqërinë e familjarëve, në atë kohë nuk u hap asnjë procedurë dhe as na u dhanë udhëzime se nuk po zbatonim rregulloren.

Duke iu përmbajtur asaj që ndodhi në Katar, unë veprova në një mënyrë identike. Në njoftimin e largimit, deklarova se do të më shoqëronte djali im i vogël, i mitur. Dje u habita që një pjesë e mediave shkruanin sikur të ishte diçka e re, sikur të mos kishte ndodhur më parë”, tha ai.