BALLKAN, 4 Prill 2026, 09:06

​Kosovë/ Presidentja Osmani përfundon mandatin, sot ia dorëzon detyrën kryeparlamentares Haxhiu

​Kosovë/ Presidentja Osmani përfundon mandatin, sot ia dorëzon

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani përfundon sot mandatin. Në mungesë të zgjedhjes së presidentit të ri, Osmani detyrën ia dorëzon sot kryetares së Kuvendit të Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu. Ceremonia e dorëzim-pranimit të detyrës do të mbahet në Kabinetin e Presidentes në orën 16:00.

“Në orën 16:00, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ia dorëzon detyrën Kryetares së Kuvendit të Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu. Akti ceremonial i dorëzim-pranimit të detyrës do të mbahet në Kabinetin e Presidentes”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

Zhvillimet e fundit në Kosovë lidhur me çështjen e presidentit janë karakterizuar nga një ngërç i thellë politik. Kuvendi në seancën e caktuar për presidentin nuk arriti ta zgjedh në mungesë të kuorumit, ndërkaq seanca është ndërprerë. Situata u përshkallëzua më tej pasi presidentja Vjosa Osmani shpërndau Kuvendin dhe paralajmëroi zgjedhje të jashtëzakonshme, vendim që u kontestua dhe u dërgua në Gjykatën Kushtetuese.

E vendimi i Kushtetueses tha se dekreti i Osmanit për shpërndarje të legjislativit s’ka efekt juridik, ndërkaq i ka dhënë kohë Kuvendit 34 ditë për zgjedhjen e presidentit.

Osmani në krye të shtetit ishte zgjedhur në seancën e 4 prillit 2021, me 71 vota pro. Osmani u zgjodh në raundin e tretë të votimit ku votuan 82 deputetë, pasi në raundin e parë dhe të dytë nuk mori votat e nevojshme.