TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Ditë më parë në varrezat e fshatit Suhodoll të Mitrovicës janë gjetur eshtrat e 9-vjeçarit Sinan Dauti nga Prekazi i Epërm, të cilin më 12.04.1999 e kishin marrë forcat serbe gjatë luftës.
Rivarrimi i 9-vjeçarit do të bëhet të shtunën, më 18.04.2026.
Kështu ka bërë të ditur kryeministri Albin Kurti, i cili bashkë me ministrin Andin Hoti ishin për ngushëllime në familjen Dauti në Prekaz të Epërm të Skenderajt.
“Për fatin e tij u kuptua vetëm pas 27 vitesh… Dhimbja e kësaj familjeje nuk është vetëm e tyre, është plagë e hapur e gjithë popullit tonë. Rivarrosja e eshtrave të Sinanit është një akt i rëndë emocional, por edhe një akt i vonuar i dinjitetit njerëzor. Sepse çdo i rënë për liri meriton emër, vend dhe kujtim të përhershëm”, ka shkruar Kurti në Facebook.
Ai ka theksuar se nuk duhet harruar se në gjakun e martirëve dhe dëshmorëve gjenden rrënjët e lirisë dhe themelet e shtetit.
Kurti ka shtuar se institucionet kanë detyrë të qëndrojnë pranë familjeve jo vetëm në ditë përkujtimi, por edhe në përpjekjen e vazhdueshme për zbardhjen e fatit të të zhdukurve dhe për vendosjen e drejtësisë.
Sipas tij, pa drejtësi nuk ka paqe të plotë dhe pa të vërtetën nuk ka pajtim të qëndrueshëm.