TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Nga java e ardhshme pritet të intensifikohen takimet mes partive parlamentare me synimin për të arritur një marrëveshje rreth zgjedhjes së kreut të shtetit. Këtë e ka paralajmëruar shefja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Arbërie Nagavci.
Në të njëjtën linjë, sot është deklaruar edhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, i cili theksoi se partia që ai drejton nuk do të mbështesë një zgjidhje ku, sipas tij, të gjitha pozitat kryesore shtetërore i takojnë një partie të vetme. Ai konfirmoi gjithashtu se është takuar me përfaqësuesin e PDK-së, Bedri Hamza, ndërsa shtoi se kreu i AAK-së ka refuzuar një takim të tillë.
Ndërkohë, në pritje të zhvillimeve nga këto takime, njohës të fushës vlerësojnë se është e domosdoshme të shmangen zgjedhjet si opsion dhe të arrihet një marrëveshje politike për të siguruar stabilitet institucional dhe funksionim normal të vendit.
Profesori universitar, Dorajet Imeri, në një prononcim tha se duhet të ndërmerren të gjitha masat për të shmangur një cikël të ri zgjedhjesh, duke theksuar se një marrëveshje politike gjithëpërfshirëse do të ndihmonte në krijimin e një balance të qëndrueshme mes pozitës dhe opozitës.
Ai shtoi se nuk pret ndryshime të mëdha në skenën politike edhe në rast zgjedhjesh të reja, pasi, sipas tij, nuk ekziston potencial për përmbysje drastike të rezultatit.
Edhe njohësi tjetër i çështjeve politike, Mazllum Baraliu, vlerësoi se shkuarja në zgjedhje do të ishte një hap i gabuar dhe me pasoja të rënda për vendin, duke e cilësuar atë si një opsion “katastrofik” dhe me ndikim negativ afatgjatë.
Në zgjedhjet e fundit, Vetëvendosje siguroi 57 ulëse në Kuvend, një numër i pamjaftueshëm për zgjedhjen e presidentit, për të cilën nevojiten të paktën 80 vota.