BALLKAN, 28 Mars 2026, 13:42

Kosova nënshkruan marrëveshje me Kolumbinë, hiqen vizat për pasaportat diplomatike dhe zyrtare

Kosova nënshkruan marrëveshje me Kolumbinë, hiqen vizat për

Kosova ka nënshkruar tre marrëveshje me Kolumbinë, mes të cilave edhe marrëveshjen për heqjen e vizave për mbajtësit e pasaportave diplomatike dhe zyrtare.

Kështu ka njoftuar Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës.

Sipas njoftimit, zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti, zhvilloi një takim me homologen e tij nga Kolumbia, Paula Andrea Cerón Arboleda.

“Me këtë rast, palët nënshkruan tre marrëveshje të rëndësishme: marrëveshjen për heqjen e vizave për mbajtësit e pasaportave diplomatike dhe zyrtare, marrëveshjen për konsultime politike ndërmjet dy ministrive të punëve të jashtme, si dhe memorandumin e bashkëpunimit ndërmjet dy akademive diplomatike” – thuhet në njoftim.

“Gjatë takimit u diskutua edhe mundësia e heqjes së vizave për mbajtësit e pasaportave të rregullta, me ç’rast palës kolumbiane iu dorëzua drafti fillestar për këtë çështje, si një hap konkret drejt lehtësimit të lëvizjes së qytetarëve dhe afrimit të mëtejmë ndërmjet dy shteteve” – thuhet tutje në njoftim.

Palët u pajtuan që në një afat të afërt të mbahet raundi i parë i konsultimeve politike në Prishtinë, në kuadër të marrëveshjes së nënshkruar, me synim konkretizimin e bashkëpunimit në fusha të ndryshme.