BALLKAN, 6 Maj 2024, 13:41

Kosova i ndaloi hyrjen në kufi, justifikimi i Petkoviç: Vizita kishte karakter fetar!

Kosova i ndaloi hyrjen në kufi, justifikimi i Petkoviç: Vizita

Drejtori i zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç, ka thënë sot se Prishtina, pa asnjë shpjegim, ia ka ndaluar hyrjen në territorin e Kosovës.

Sipas tij, vizita kishte karakter fetar, në mënyrë që ai të marrë pjesë në liturgjinë e mesnatës së Pashkëve në manastirin e Graçanicës.

“Ka një vit, edhe pse jam negociatori kryesor me Prishtinën, nuk më lejojnë të vizitoj territorin e Kosovës dhe në këtë mënyrë i shkelin të gjitha marrëveshjet”, ka thënë Petkoviç për televizionin Pink, duke theksuar se vizitën e ka paralajmëruar me kohë.

Ai tha se deklaratat e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, tregojnë se “Prishtina nuk ka ndërmend të formojë kurrë Asociacionin e komunave me shumicë serbe”.

Petkoviç theksoi se Beogradi do të vazhdojë me raportet ‘konstruktive’ karshi dialogut me Prishtinën, dhe se do të vazhdojë Serbia luftën që Kosova të mos anëtarësohet në Këshillin e Evropës.