TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryeministër të Kosovës, Albin Kurti, ka votuar pak më parë i shoqëruar nga gruaja e tij, Rita.
Ai ka ftuar qytetarët që ta ushtrojnë të drejtën e tyre dhe ta përdorin mundësinë për t’u përcaktuar për përbërjen e Kuvendit të ardhshëm.
Ai ka thënë se uron që legjislatura e dhjetë të konstituojë sa më shpejtë Kuvendin e ardhshëm dhe ta formojë qeverinë e re.
“I falënderoj qytetarët për pjesëmarrjen në fushata, pastaj edhe për durimin dhe angazhimin që kanë treguar. Mendoj që pjesëmarrja do të jetë masive. Duhet rezultat i qartë”, ka thënë ai.
Sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, pjesëmarrja në votime deri në orën 09:00 ka qenë 2.61 për qind. Qendrat e votimit do të qëndrojnë të hapura deri në orën 19:00, ndërsa trendi i pjesëmarrjes zakonisht rritet në orët e pasdites.
Këtë të diel, më 28 dhjetor, mbi 2 milionë qytetarë me të drejtë vote janë ftuar të votojnë, duke shënuar herën e katërt të daljes në zgjedhje brenda këtij viti. Viti 2025 nisi me zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, vazhdoi me zgjedhjet lokale të 12 tetorit dhe 9 nëntorit dhe po mbyllet me procesin zgjedhor të 28 dhjetorit.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se materiali zgjedhor, përfshirë fletëvotimet, është shpërndarë që të shtunën në mëngjes në të gjitha 38 komunat e Republikës së Kosovës. Procesi zgjedhor brenda vendit zhvillohet në 948 qendra votimi, me gjithsej 2.614 vendvotime.