BALLKAN, 29 Maj 2024, 20:00

Gjendja e sigurisë në rajon, komandanti i KFOR-it bisedon me shefin e ushtrisë serbe

Gjendja e sigurisë në rajon, komandanti i KFOR-it bisedon me shefin e

Komandanti i misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, Ozkan Utulash, u takua të mërkurën me shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Serbisë, Millan Mojsilloviq, në Kopaonik të Serbisë, për të biseduar për gjendjen e sigurisë rajonale.

Në një njoftim për media, misioni paqeruajtës në Kosovë tha se ky takim ishte pjesë e ndërveprimeve të rregullta të Utulashit me homologët e vet ushtarakë. “Gjeneralmajor Utulash dhe gjenerali Mojsilloviq ndanë qëndrimet e tyre për gjendjen e përgjithshme të sigurisë dhe ndikimin e saj në stabilitetin rajonal, si dhe për aktivitetet bashkëpunuese, përfshirë patrullimet e sinkronizuara përgjatë vijës kufitare administrative”, thuhet në njoftimin e KFOR-it.

Ministria e Mbrojtjes e Serbisë tha se në takimi u mbajt me ftesë të Mojsilloviqit dhe se në të u diskutua për gjendjen e tanishme të sigurisë në Kosovë dhe për bashkëpunimin e deritanishëm.

“Shefi i Shtabit të Përgjithshëm ka kërkuar nga komandanti i KFOR-it që forcat ndërkombëtare të veprojnë në mënyrë profesionale dhe të paanshme dhe të parandalojnë me shpejtësi çdo përpjekje për të rrezikuar popullatën serbe”, thuhet në njoftimin e Ministrisë serbe.

Gjendja e sigurisë në veriun e Kosovës mbetet e tensionuar prej 29 majit të vitit të kaluar, kur u lënduan dhjetëra pjesëtarë të KFOR-it gjatë përleshjeve në protestat e serbëve kundër kryetarëve shqiptarë në katër komunat atje. Pikërisht në njëvjetorin e dhunës në Zveçan, KFOR-i ka kërkuar që të përfshirët në sulmet ndaj pjesëtarëve të këtij misioni të vihen para para drejtësisë.

Tensionet kulmuan më 24 shtator, kur një grup i armatosur serbësh sulmoi policinë e Kosovës në fshatin Banjskë, afër Zveçanit, duke vrarë policin Afrim Bunjaku. Prej atëherë autoritetet kosovare e kanë akuzuar disa herë Serbinë për dërgimin e ushtrisë në afërsi të kufirit kosovar.

Kosova dhe Serbia ndajnë një vijë kufitare të gjatë rreth 400 kilometra. Në mars të këtij viti ishte hera e fundit që Kosova pretendoi se Serbia kishte dërguar njësite ushtarake pranë kufirit, por këto pretendime të bëra nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u hodhën poshtë nga autoritetet serbe.

Kosova fajësoi Serbinë për sulmin në Banjskë, por Beogradi e mohoi përgjegjësinë. Atë e mori ish-nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq. Besohet se ai dhe anëtarë të tjerë të atij grupi të armatosur gjenden në Serbi.

Pas ngjarjes së Banjskës, KFOR-i e ka rritur praninë ushtarake në Kosovë dhe tani ka rreth 4.700 ushtarë. KFOR-i është reaguesi i tretë i sigurisë në Kosovë, pas Policisë së Kosovës që është e para dhe pas misionit të BE-së për sundim të ligjit, EULEX, me të cilat thotë se bashkëpunon ngushtë./REL