TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka reaguar ndaj deklaratave të presidentit serb, duke thënë se Vuçiç është duke e sulmuar paturpësisht Turqinë, shtet, i cili si vend anëtar i NATO-s, është duke i ndihmuar Kosovës që ta ruajë paqen.
“Jam krenare që kam punuar ngushtë me presidentin [e Turqisë, Recep Tayyip] Erdogan, i cili ka treguar gjithmonë kujdes të thellë për njerëzit e rajonit tonë, dhe ka kontribut të jashtëzakonshëm për ruajtjen e paqes dhe sigurisë. Vuçiçi, në anën tjetër, duket se beson që mund ta kërcënojë një shtet të madh të NATO-s, sikurse është Turqia, njësoj sikurse i kërcënon shtetet fqinje. Në vend që të punojë nga afër me vendet anëtare të NATO-s, ai e çon përpara bashkëpunimin me Rusinë, Kinën dhe Iranin në fushën e mbrojtjes”, ka thënë Osmani përmes një postimi në Twitter.
Ajo është zotuar se Kosova do të vazhdojë t’i forcojë lidhjet me aleatë të NATO-s, duke i modernizuar kapacitetet në mbrojtje, të bazuara në standarde të NATO-s, aleancë ku synon të anëtarësohet.
“Vuçiçi duhet të tentojë ta bëjë të njëjtën, në vend që t’i sulmojë vazhdimisht fqinjët. Por, duket se për mendësinë e tij hegjemoniste që ka mbetur në të kaluarën dhe është vazhdimisht e fiksuar në ngacmim të të tjerëve, një maturi e tillë duket përtej të arritshmes”, ka thënë mes tjerash Osmani.