BALLKAN, 10 Qershor 2026, 16:01

BE pritet të miratojë paketën e re të sanksioneve ndaj Rusisë, propozon ndalimin e hyrjes së ushtarëve rusë në vendet e Unionit

BE pritet të miratojë paketën e re të sanksioneve ndaj

BE-ja synon t’u ndalojë ushtarëve rusë hyrjen në territorin e saj, si pjesë e sanksioneve të mëtejshme kundër Moskës, të cilat synojnë gjithashtu bankat, firmat e kriptomonedhave dhe të ardhurat e Kremlinit nga nafta.

Duke njoftuar propozimet të martën, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha: “Ne propozojmë për herë të parë të ndalojmë hyrjen në Bashkimin Evropian të kujtdo që ka shërbyer në forcat e armatosura ruse që nga fillimi i luftës. Pra, Evropa mbetet e ndaluar për këdo që ka marrë pjesë në pushtimin e Ukrainës, kaq e thjeshtë.”

Ndalimi i propozuar i vizave për luftëtarët është pjesë e masave më të fundit të BE-së për shtrëngimin e sanksioneve kundër Rusisë, propozime që mund të ndryshohen dhe duhet të miratohen unanimisht nga 27 shtetet anëtare.

“Sanksionet tona vazhdojnë të jenë të forta dhe të thella. Ato po dobësojnë themelet ekonomike të përpjekjeve luftarake të Rusisë”, tha von der Leyen ndërsa prezantoi planet, grupi i 21-të i masave që nga pushtimi i plotë i Ukrainës nga Moska në shkurt 2022.

Komisioni gjithashtu dëshiron të mbajë një çmim maksimal për naftën ruse në 44 dollarë deri në janar 2027, gjë që do ta pengonte Kremlinin të korrte fitime nga rritja e çmimeve të naftës bruto që vjen si pasojë e mbylljes së ngushticës së Hormuzit.

“Ne duam të ruajmë intensitetin e plotë të sanksioneve tona”, tha Von der Leyen.

Zyrtarët e BE-së duan gjithashtu të shtojnë në listën e saj të zezë 30 anije të “flotës në hije” që ndihmojnë Rusinë të shmangë sanksionet perëndimore, përveç 632 anijeve që janë tashmë nën kufizime.