BALLKAN, 9 Nëntor 2025, 10:12

Balotazhi në 18 komuna të Kosovës, Kurti fton qytetarët të vendosin për katërvjeçarin e ardhshëm

Balotazhi në 18 komuna të Kosovës, Kurti fton qytetarët

Sot, në Kosovë do të zhvillohet raundi i dytë i zgjedhjeve lokale (balotazhi) në 18 komuna, ku qytetarët do të zgjedhin kryetarët e tyre.

Balotazhi mbahet në 18 komuna të vendit, përfshirë: Gjakovë, Gjilan, Dragash, Kaçanik, Klinë, Fushë-Kosovë, Mitrovicë e Jugut, Obiliq, Rahovec, Pejë, Prishtinë, Prizren, Suharekë, Viti, Vushtrri, Junik, Mamushë dhe Kllokot.

Në këto komuna, qytetarët do të kenë mundësinë të zgjedhin mes dy kandidatëve më të votuar nga raundi i parë i zgjedhjeve lokale.

Sipas të dhënave të KQZ-së, të drejtë vote kanë mbi 1 milion e 316 mijë qytetarë me të drejtë votimi.

Komisioni Qendror Zgjedhor ka mbajtur konferencën e parë rreth hapjes së vendvotimeve për raundin e balotazhit.

Valmir Elezi nga KQZ tha se të gjitha vendvotimet janë hapur në orën 07:00 dhe procesi po zhvillohet normalisht.

“Ju njoftojmë se në orët e hershme të ditës së sotme, materialet janë shpërndarë në kohë në të gjitha vendvotimet”, tha ai, raporton Telegrafi.

“Procesi i votimit në 18 komuna për kryetarë ka nisur me kohë. Sot procesi i votimit zhvillohet në 507 qendra, me gjithsej 1628 vendvotime, të cilat janë të hapura dhe 18 qendra të tjera, nga një për çdo komunë, për të mundësuar votimit me kusht”.

Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit njofton se për raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetar të komunave në Republikën e Kosovës, të cilat mbahen sot, Prokurori i Shtetit ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për të realizuar mbrojtjen e votës së lirë të qytetarëve, duke garantuar integritetin e procesit zgjedhor.

Në këto zgjedhje janë angazhuar së bashku rreth 80 prokurorë të shtetit dhe zyrtarë të sistemit prokurorial, të cilët do të qëndrojnë kujdestarë në gjithë territorin e Republikës së Kosovës, deri në përfundim të procesit zgjedhor, me qëllim të procedimit të çdo parregullsie që mund të ndodhë.

Prokurori i Shtetit i fton qytetarët e Republikës së Kosovës, të gjitha subjektet politike, institucionet apo organizatat e ndryshme, që të denoncojnë tek prokuroritë përkatëse, çdo rast, për të cilin kanë dyshime se po keqpërdoret ose manipulohet vota në çfarëdo mënyre dhe nga kushdo qoftë.

Policia e Kosovës, me qëllim të ofrimit të sigurisë dhe mbarëvajtjes së procesit zgjedhor për kryetar komune-balotazh, ka hartuar urdhrin operativ policor, ku janë bërë planifikimet e duhura policore lidhur me zgjedhjet, në aspektin e sigurisë.

Planifikimi operativ ka paraparë implementimin dhe realizimin e operacionit policor gjatë procesit të balotazhit, angazhimi dhe garantimi i sigurisë, transporti nën përcjellje dhe siguri të PK-së të materialit sensitiv e deri në përfundim të procesit.

Policia e Kosovës ka marrë masa shtesë duke caktuar edhe koordinatorë të Policisë me KQZ-në dhe institucionet tjera të angazhuara në këtë proces, si dhe hartimin e një udhëzuesi për zyrtarët policorë lidhur me detyrat dhe përgjegjësitë e tyre ligjore gjatë balotazhit.

Policia e Kosovës njëkohësisht iu bën thirrje të gjithë drejtuesve të subjekteve zgjedhore dhe qytetarëve që për çdo informacion, apo çështje që ndërlidhet me aspektin e sigurisë të njoftojnë institucionet kompetente dhe Policinë e Kosovës, përmes linjës fikse dhe mobile: 192 ose në adresën elektronike [email protected] si dhe në stacionet më të afërta policore, në mënyrë që të ndërmerren masat e menjëhershme ligjore.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka ushtruar të drejtën e tij për votë në këtë raund të dytë të Zgjedhjeve Lokale.

Kreu i Vetëvendosjes ftoi të gjithë qytetarët të ushtrojnë të drejtën e tyre dhe të përcaktojnë se kush do t’i qeverisë për katër vitet e ardhshme.