TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Protesta kundër investimit në Zvërnec të Vlorës ka vijuar për të gjashtën ditë radhazi, ndërsa para godinës së Kryeministrisë u mblodhën dhjetëra qytetarë për të shprehur pakënaqësinë e tyre ndaj qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama.
Gjatë tubimit, një prej protestuesve deklaroi se lëvizja nuk ka në fokus vetëm çështjen e Zvërnecit dhe Nartës, por synon, sipas tij, ndryshime më të gjera politike në vend.
“Shoh shumë njerëz që flasin me ose pa dëshirë dhe e çojnë gjithë interesin te Narta dhe Zvërneci. Ne nuk jemi vetëm për Zvërnecin. Atë do ta marrim pasi të çlirojmë Shqipërinë nga këta dy persona. Rama në burg, Berisha në burg”, u shpreh ai.
Protestuesi iu drejtua gjithashtu qytetarëve me një thirrje për më shumë angazhim në jetën publike, duke sjellë në vëmendje edhe lëvizjen studentore që kontribuoi në rrëzimin e regjimit komunist.
“Mos harroni se studentët që hodhën poshtë komunizmin ishin pa bukë në bark, ndërsa ju jeni me AMG. Zgjohuni, sepse jeni me gjak shqiptari”, deklaroi ai.
Në fjalën e tij, protestuesi kërkoi gjithashtu që protesta të mos identifikohet apo përvetësohet nga forcat politike, duke u bërë thirrje qytetarëve që të mos lejojnë asnjë parti të marrë meritat e kësaj lëvizjeje.
“Mos lejoni asnjë parti të marrë kreditet e protestës”, përfundoi ai.