AKTUALITET, 3 Qershor 2026, 09:10

"Zvërneci"/ Rama: Përqafim të veçantë për ata të mitë që kanë mbetur akoma peng të protestës! Shqipëria do të bëhet sipas kontratës me 83 vota

"Zvërneci"/ Rama: Përqafim të veçantë

Kryeministri Edi Rama sërish këtë mëngjes ka reaguar për protestat qytetare, që kundërshtojnë projektin për investim në zonën e Zvërnecit në Vlorë si dhe kërkojnë largimin e tij nga qeveria.

Në Facebook, kreu i qeverisë ka publikuar një intervistë të një protestuesi dhënë për News24, ndërsa shprehet i vendosur se ‘Shqipëria do bëhet sipas kontratës që kemi lidhur për herën e katërt në majin e shkuar me 83 vota’.

Një mesazh Rama kishte edhe për qytetarët që kanë votuar për PS, por që kanë dalë të protestojnë, duke thënë se janë “peng i një proteste të cilës i ka humbur çdo arsye reale e nisjes”

“Mirëmëngjesi dhe me ndjesën për këtë video-kartolinë të pazakonshme nga “Shqipëria e shqiptarëve”, e duke i siguruar të gjithë se Shqipëria do bëhet sipas kontratës që kemi lidhur për herën e katërt në majin e shkuar me 83 vota, pavarësisht se ça thonë e ça duan këta shqiptarët që e dinë Shqipërinë pengun e verbërisë së tyre dhe atdhedashurinë podium për të sharë me libër shtëpie tradhëtarët e armiqtë imagjinarë Shqipërisë, ju uroj një ditë të mbarë me një përqafim të veçantë për ata të mitë që kanë mbetur akoma peng i një proteste të cilës i ka humbur çdo arsye reale e nisjes”, shkruan Rama.