AKTUALITET, 27 Qershor 2026, 18:39

Zjarri përfshin një magazinë bujqësore në Savër, rrezikohen shtëpitë pranë kompleksit! Ambulancat dhe zjarrfikëset në vendngjarje

Zjarri përfshin një magazinë bujqësore në Savër,

Një zjarr ka përfshirë një magazinë bujqësore në fshatin Savër të Lushnjes, duke shkaktuar alarm dhe panik tek banorët e zonës. Si pasojë e flakëve të mëdha, fatmirësisht raportohet se ka vetëm dëme materiale dhe nuk ka njerëz të lënduar.

Gazetari i Balkanweb mëson se në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë dy autoambulanca të spitalit të Lushnjes. Ekipet mjekësore u kanë dhënë ndihmën e parë familjarëve të cilët kanë shtëpitë e tyre të banimit ngjitur me kompleksin bujqësor dhe janë prekur nga situata e krijuar.

Përballë rrezikut serioz të përhapjes së zjarrit drejt zonës së banuar, dy mjete zjarrfikëse të bashkisë Lushnje kanë ndërhyrë me shpejtësi në vatrën e flakëve.

Efektivët e shërbimit zjarrfikës kanë bërë të mundur izolimin e plotë të zonës që po digjej, duke parandaluar kështu një katastrofë të mundshme dhe duke mos lejuar që zjarri të përpinte shtëpitë e banimit që ndodheshin fare pranë.

Ndërkohë, grupi hetimor ka mbërritur në vendngjarje dhe po kryen të gjitha veprimet e nevojshme për të zbardhur shkaqet e plota të rënies së zjarrit në këtë magazinë.