AKTUALITET, 9 Qershor 2026, 13:24

Zhdukja e Eglant Koçit në Tiranë, arrestohet me urdhër të Prokurorisë, një person i dyshuar. Ja kush është

Zhdukja e Eglant Koçit në Tiranë, arrestohet me urdhër

Zhdukja e Eglant Koçit vijon të jetë e rrethuar nga misteri. I riu rezulton i humbur prej datës 4 qershor dhe për fatin e tij ende nuk dihet gjë konkrete.

Lidhur me zhdukjen e 35-vjeçarit Eglant Koçi në Tiranë më datë 4 qershor, policia ka arrestuar me urdhër të Prokurorisë Enea Zyferin, i cili dyshohet nga hetimet se ka përkrahur autorin e krimit.

Prokuroria e Tiranës po heton këtë rast teksa ka dyshime se kemi të bëjmë me rrëmbim personi, bën me dije gazetarja Klodiana Lala.

Motori i Eglant Koçit me të cilin udhëtonte deri para se të humbte gjurmët, u gjet dy ditë më vonë te rruga 5 maji në Tiranë.

Eglant Koçi ishte postieri që shkonte në pikat e këmbimit për të këmbyer kriptomonedhat me para cash.

Hetuesit po punojnë për të dokumentuar rrethanat e ngjarjes dhe për të gjetur çdo gjurmë që mund të çojnë te i riu.

Njoftimi i policisë

Si rezultat i veprimeve intensive hetimore dhe operacionale të kryera nga specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda ndaj Jetës dhe Pronës, në drejtimin e Prokurorisë, pas kallëzimit të bërë më datë 05.06.2026 nga familjarët e shtetasit E. K., 34 vjeç, për humbjen e kontakteve me të, është bërë i mundur identifikimi i shtetasit A. Sh., 41 vjeç, i cili dyshohet se ka mbajtur peng 34-vjeçarin.

Nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera deri në këtë fazë është bërë e mundur gjetja e motomjetit të 34-vjeçarit, identifikimi dhe kontrolli i ambientit ku është futur 34-vjeçari, ambient nga i cili më pas ka dalë autori i dyshuar dhe mund të ketë marrë me vete, me automjet, 34-vjeçarin.

Është ushtruar kontroll i imtësishëm në ambientin e dyshuar, ku dyshohet se mbahej peng 34-vjeçari, si dhe në shumë ambiente të tjera dhe në terren, por deri tani nuk është bërë e mundur gjetja e 34-vjeçarit.

Po nga veprimet hetimore ka rezultuar gjithashtu se autori i dyshuar ka larguar motomjetin e 34-vjeçarit nga vendi ku ishte parkuar fillimisht.

Automjeti me të cilin dyshohet se është transportuar 34-vjeçari, është gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale.

Gjithashtu, është arrestuar në flagrancë shtetasi E. Z., 25 vjeç, i dyshuar për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”, pasi dyshohet se ka ndihmuar 41-vjeçarin në këtë rast.

Shërbimet e Policisë po vijojnë intensivisht kërkimet për gjetjen e shtetasit E. K.

Ndërkohë, po punohet për lokalizimin dhe kapjen e shtetasit të shpallur në kërkim.

Duke qenë se hetimet janë në vijim, për të mos cenuar ecurinë e tyre, bëjmë me dije se në këtë fazë nuk mund të bëhen publike të gjitha rezultatet e hetimit.

Në vijim, do të jepet informacion më i plotë sipas ecurisë së hetimeve!