AKTUALITET, 14 Janar 2025, 10:04

Zgjimi i një hakmarrje të “fjetur”? Vrasja e Kristjan Markut, policia merr në pyetje familjarët e viktimës dhe 10 dëshmitarë

Zgjimi i një hakmarrje të “fjetur”? Vrasja e Kristjan

Mëngjesin e të martës, në autostradën Levan-Vlorë janë ende të freskëta gjurmët e atentatit mafioz të ndodhur një natë më parë, ku mbeti i vrarë Kristjan Marku.

Xhama të makinës së thyer që gjenden ende në rrugë, shenja të frenimit në rrugë, si dhe pjesë të makinës anës rrugës. Gjithashtu në pamje edhe kamera të sigurisë të cilat kanë filmuar lëvizjen e makinës së autorëve dhe viktimës. Në autostradë dhe një pjesë e barrierës anësore duket e goditur si rrjedhojë e aksidentit të mëpasshëm që ka bërë makinat.

Rreth 10 persona dyshohet se janë pyetur në polici për ngjarjen. Ata janë kryesisht persona që kanë qenë në vendin e ngjarjes, personi që lajmëroi policinë mbi makinën dhe trupin, drejtuesit e mjeteve të përfshirë në aksident. Ndërsa 4 persona nga Rrësheni janë shoqëruar në polici. Ata janë kryesisht familjarë të viktimës të cilët janë pyetur rreth të shkuarës së tij dhe gjithashtu ngjarjeve në Rrëshen dhe konflikteve që kanë pasur. Nuk raportohet të kenë dhënë ndonjë detaj që mund të ndihmojë policinë në zbardhjen e ngjarjes në fjalë.

Nga 11 gëzhoja sipas grupit hetimor viktimën e kanë kapur 3 plumba. Një prej tyre ka qenë fatal. Për shkak të rëndësisë së ngjarjes mjeku ligjor ka ardhur nga kryeqyteti për të kryer ekspertizën mjeko-ligjore. Rreth orëve të mëngjesit familjarët e mbërritur kanë tërhequr trupin e viktimës. Në afërsi të Durrësit shihet edhe kortezhi i familjarëve që kanë tërhequr trupin. Mbi 15 makina kanë shoqëruar makinën ku ndodhej trupi i viktimës.

Siç dhe bëmë me dije më herët Kristi Marku (Kristian Bardhi), është nipi i Martin Bardhit, të vrarë në Rrëshen në shtator të vitit 2023.

Policia dyshon se vrasja është kryer për hakmarrjen 28-vjeçare mes dy fiseve, Reçi e Bardhi në Rrëshen. Në vazhdimësinë e hetimeve, policia ka zbarkuar gjatë natës në banesën e familjes Reçi, ku kanë ushtruar kontrolle dhe kanë shoqëruar katër anëtarët e këtij fisi.

Ata janë marrë në pyetje lidhur me krimin, mirëpo hanë mohuar të kenë “gisht” në ekzekutimin e 30-vjeçarit.

Kristi Marku (Kristian Bardhi) nuk është një emër i panjohur për policinë, pasi ai rezulton të ketë precedentë të mëparshëm penalë për  “vrasje me dashje në bashkëpunim të mbetur në tentativë” dhe “mbajtje pa leje të armëve të zjarrit dhe municionit luftarak”.

Në vitin 2023, ai është skeduar nga policia si i dyshuar për një ngjarje të ndodhur në 26 mars të këtij viti në Rrëshen, ku pati të shtëna me armë zjarri në drejtim të Saimir Reçit, nipit të Kastriot Reçit i vrarë me snajper në qendër të Rrëshenit në janar të vitit 2020.

Kush ishte viktima?

30-vjeçari Kristjan Marku është hetuar më herët për vrasje të mbetur në tentativë dhe armëmbajtje pa leje. Mësohet se disa minuta pas ngjarjes, në një distancë jo shumë të largët është gjetur dhe një mjet në djegie e sipër që dyshohet se iu përket autorëve.

Kristjan Marku u godit me breshëri automatiku në aksin Vlorë-Fier teksa ndodhej në makinën e tij.

Moti me shi dhe mungesa e kamerave të sigurisë vështirëson punën e policisë për kapjen e autorëve, teksa në të gjitha hyrjet e qytetit bregdetar janë ngritur dhe postblloqe.