AKTUALITET, 12 Shkurt 2024, 19:59

Zgjedhin të jetojnë në vendin tonë, pensionistët italianë sjellin 3 milionë euro në muaj në Shqipëri

Zgjedhin të jetojnë në vendin tonë, pensionistët

Rreth 3 mijë pensionistë tashmë janë vendosur në Shqipëri, kryesisht në Tiranë, Durrës dhe Vlorë. Të dhënat zyrtare nga institucionet italo-shqiptare tregojnë një rritje të numrit të pensionistëve italianë në Shqipëri. Sipas ekspertëve të ekonomisë, zgjedhja e Shqipërisë nga kjo grupmoshë vjen për disa arsye, dhe më kryesorja përfitimi ekonomik që vetë këta shtetas kanë.

“Aktualisht në Shqipëri jetojnë rreth 20 mijë italianë, nga të cilët rreth 3 mijë janë pensionistë italianë që kanë vendosur të transferohen përfundimisht në Shqipëri. Heqin dorë nga përfitimi i pensionit në Itali, duke paguar sigurimet shëndetësore në Itali dhe shërbimin shëndetësor falas në Itali. Që nënkupton, ky pensionist që e ka pensionin bruto 1500 në Itali dhe vendos të transferohet në Shqipëri duke hequr dorë nga sigurimi shëndetësor italian, ai merr pensionin 100% bruto, pra në Shqipëri përfiton pension 1500 Euro nga 1150 Euro që do përfitonte në Itali.’, tha Klodian Muço, ekspert ekonomie.

Në rastin e Shqipërisë, vendi ynë përfiton 3 mln Euro në muaj që qarkullohet në treg, si dhe në rritjen e punësimit. “Mimimalisht këta përfitojnë 1 mijë euro në muaj. Janë 3 mln euro që vijnë çdo muaj në Shqipëri që shpenzohen nga këto persona. Një pjesë e mirë e tyre i shtohet konsumit në Shqipëri. Një pjesë tjetër e tyre vendosin që të punësojnë asistentë pastrues duke ndikuar pozitivisht dhe në rritjen e punësimit në Shqipëri, edhe në pjesën e qirave sepse një pjesë e tyre marrin shtëpi me qira.”, shtoi ai.

Sipas ekspertëve, ky fenomen nuk është vetëm italo-shqiptar, pasi edhe vendet e tjera e kanë aplikuar. “Ky nuk është fenomen vetëm shqiptar, pasi pensionistët gjerman, apo francez vendosnin të kalonin jetën në Spanjë dhe Portugali, tani edhe drejt Rumanisë, Bullgarisë dhe Shqipërisë.”, tha Muço. Zgjedhja e vendit tonë nga pensionistët italianë vjen edhe si rezultat i klimës së Shqipërisë. Jo vetëm kjo shtresë, por edhe mjaft turistë të tjerë po zgjedhin Shqipërinë edhe për turizëm dentar.