AKTUALITET, 12 Korrik 2026, 10:49

Zbulohen tre raste të kultivimit të kanabisit në Lezhë, arrestohen tre persona, asgjësohen 436 bimë narkotike (VIDEO)

Zbulohen tre raste të kultivimit të kanabisit në Lezhë,

Tre persona janë arrestuar në flagrancë nga Policia e Lezhës, pas konstatimit të tre rasteve të kultivimit të bimëve narkotike në zonat e Mirditës dhe Kurbinit.

Gjatë operacionit u asgjësuan gjithsej 436 bimë të dyshuara narkotike të llojit Cannabis Sativa.

Sipas Policisë, kontrollet u zhvilluan në terren nga toka dhe ajri, me përdorimin e dronëve, si dhe mbi bazën e informacioneve të siguruara në rrugë operative. Në operacion u angazhuan shërbimet e Komisariatit të Policisë Mirditë, Komisariatit të Policisë Kurbin dhe Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë.

Në fshatin Sheshaj të Mirditës, u arrestua në flagrancë shtetasi J. R., 21 vjeç, banues në Durrës, i cili u kap duke u kujdesur për 222 bimë të dyshuara narkotike Cannabis Sativa.

Në një rast tjetër, Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Kurbin, arrestuan shtetasin D. N., 47 vjeç, banues në Fshat Laç, i cili dyshohet se kujdesej për 151 bimë të dyshuara narkotike.

Ndërkohë, specialistët e Komisariatit të Policisë Kurbin arrestuan edhe shtetasen V. M., 44 vjeçe, pasi në lagjen “Rrahu i Pashës”, në Laç, u gjetën 63 bimë të dyshuara narkotike Cannabis Sativa, të cilat dyshohet se kultivoheshin prej saj.

Të gjitha bimët narkotike të konstatuara u asgjësuan me anë të djegies, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë për veprime të mëtejshme hetimore.