AKTUALITET, 27 Maj 2026, 19:42

Zbardhen propozimet e PD-së për ndryshimet në statut, nuk preket “neni Basha”! Rritet përfaqësimi i Diasporës dhe grave në parti

Zbardhen propozimet e PD-së për ndryshimet në statut, nuk preket

Janë zbardhur propozimet e Partisë Demokratike për ndryshimet në Statutin e partisë, të cilat synojnë rritjen e përfaqësimit, forcimin e strukturave të brendshme dhe përmirësimin e funksionimit organizativ të partisë.

Ndër pikat kryesore të propozuara është fuqizimi i rolit të diasporës shqiptare, duke parashikuar që 15% e listave zgjedhore dhe organeve drejtuese të përbëhen nga përfaqësues të saj. Një tjetër ndryshim lidhet me rritjen e përfaqësimit të grave dhe vajzave në strukturat e partisë, nga 30% në 40%, si pjesë e përpjekjeve për forcimin e barazisë gjinore dhe përfshirjes në vendimmarrje.

Në dokument nuk përmendet neni Basha, që Berisha e futi në ndryshimet e bëra në kuvendin e vitit 2021.

Në këtë nen thuhej se: “Në rast se pas shpalljes së rezultatit të zgjedhjeve të përgjithshme për Kuvendin, Partia nuk rezulton forcë fituese qeverisëse, mandati përfundon menjëherë dhe automatikisht për shkak të Statutit. Në këtë rast, kryetarit që i përfundon mandati, nuk i lejohet kandidimi në zgjedhjet pasardhëse për kryetar partie”.

Nga ana tjetër, PD propozon ngritjen e një Komisioni të Seleksionimit të Kandidaturave për deputetë dhe kryetarë bashkie, i cili do të funksionojë si strukturë autonome nga organet drejtuese të partisë dhe do të ketë rol paraprak në procesin e primareve.

Në ndryshimet e propozuara përfshihet edhe njohja e një statusi të barabartë për të gjitha organizatat partnere të Partisë Demokratike, si dhe masa për mbrojtjen e të dhënave personale të anëtarëve të saj. Një tjetër pikë lidhet me saktësimin e rregullave për shkarkimin e kryetarëve të degëve, duke synuar më shumë garanci për qëndrueshmërinë e tyre në detyrë dhe qartësim të procedurave statutore.

RISITË DHE NDRYSHIMET KRYESORE të propozuara për ndryshimet në Statut, mund të përmblidhen si më poshtë:

1. Fuqizimi i Diasporës shqiptare dhe përfaqësimi real politik i saj. 15% në lista dhe në organet e partisë duhet të jenë përfaqësues nga Diaspora.

2. Fuqizimi i rolit të grave dhe vajzave në Parti, duke e rritur përfaqësimin e tyre nga 30 % në 40%.

3. Ngritjen e Komisionit të Seleksionimit të Kandidaturave për deputet dhe kryetar bashkie, si strukturë autonome nga organet drejtuese të partisë, përpara realizimit të procesit të primareve.

4. Përmirësimi i organizimit bazë të partisë (grupseksionet dhe nëndega) dhe forcimi i Kolegjit të Kryetarëve të Grupseksioneve.

5. Forcimi i raporteve mes Degëve të Partisë dhe të zgjedhurve vendor (këshilltarëve bashkiak).

6. Njohja e një statusi të barabratë për të gjitha organizatat partnere të partisë, duke respektuar historinë e themelimit të PDSH.

7. Mbrojtja e të dhënave personale të anëtarëve të Partisë.

8. Saktësimi i rregullave të shkarkimit të kryetarëve të degëve, duke i dhënë më shumë garanci të qëndrimit në detyrë.