AKTUALITET, 30 Mars 2024, 13:13

Xhixho: Arsimi profesional i keqfinancuar, paratë e buxhetit derdhen lumë për PPP-të që u jepen klientëve të qeverisë

Xhixho: Arsimi profesional i keqfinancuar, paratë e buxhetit derdhen

Nënkryetarja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho në një video të publikuar në "Facebook" është shprehur se arsimi profesional është i keqfinancuar dhe nuk është i orientuar në tregun e punës.

Xhixho gjatë fjalës së saj shprehet se pasi Rama neglizhoi për dy mandate këtë sektor, ndërsa zhvendosi barrën te bizneset për të financuar arsimin profesional. Ajo shtoi se arsimi shqiptar është sot në ditën më të zezë të tij dhe se nëse duam që ta shpëtojmë Shqipërinë duhet të jetë prioritet kombëtar arsimi.

Postimi i plotë:

Arsimi profesional është i keqfinancuar dhe aspak i orientuar drejt tregut të punës. 

I njëjti kryeministër që tetë vjet më parë deklaronte se “punë ka por nuk ka profesionistë”, del e thotë sot se 70% e kërkesave për punëtorë janë për profesionistë e zanatçinj, a thua se nuk ka qenë vetë në krye të qeverisë përgjatë këtyre viteve.

Pasi e neglizhoi për dy mandate, tani kujtohet ta zhvendosë barrën te biznesi duke u imponuar ta financojnë arsimin profesional. Vetëm 0.14% e PBB-së është mbështetja që qeveria ka parashikuar për arsimin profesional, ndërkohë që paratë e buxhetit të shtetit derdhen lumë për PPP-të që u jepen klientëve të qeverisë.

Arsimi shqiptar është sot në ditën më të zezë të tij. Ndaj ringritja e arsimit është arma më e fortë për ta kundërshtuar humbjen e shpresës dhe largimin e pjesës më vitale të shoqërisë shqiptare.
Ne kemi propozuar një pakt kombëtar, i cili parashikon reformimin e thellë të kurrikulave shkollore, depolitizimin e institucioneve të arsimit, buxhetimin dysheme në masën 5% PBB dhe rritjen e pagave për mësuesit dhe pedagogët. Arsimi duhet të jetë prioritet kombëtar nëse duam ta shpëtojmë Shqipërinë!