TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Një nga ngjarjet më të rënda të ndodhura në vitin 1997 do të kthehet për gjykim në një gjykatë të shkallës së parë. Bëhet fjalë për “Masakrën e Cërrikut”, ku u vranë dhe dogjën 6 gardistë dhe u plagosën 16 persona të tjerë.
E konsideruar si një prej akteve më të tmerrshme, autorët e asaj masakre kanë tentuar jo pak herë të përballen me drejtësinë. Së fundmi, Gjykata e Lartë ka vendosur që ta rikthejë çështjen për gjykim në Gjykatën e Elbasanit, si pjesë e juridiksionit të saj.
VENDIMI
Siç bëhet me dije një vendimi i marrë në 23 janar të këtij viti nga Gjykata e Lartë, është vendosur të kthehet për rigjykim një nga ngjarjet më të bujshme të viteve 1997, ndodhur në qytetin e Cërrikut ku mbetën të vrarë 6 efektivë të Gardës së Republikës dhe 13 të tjerë u plagosën.
Tashmë kjo çështje nuk do t‘i kalojë për rigjykim Prokurorisë së Posaçme, por rigjykimi i kësaj dosje do të zhvillohet në Gjykatën e Elbasanit, pasi me ndryshimet ligjore është kjo gjykatë që ka kompetencën e dy veprave penale për të cilat është regjistruar procedimi. Bëhet me dije se rekursi i depozituar në shtator të 7 vjetëve më parë nga 9 personat e dënuar në shkallën e parë dhe shkallën e dytë të Gjykatës së Krimeve të Rënda, është gjykuar një muaj më parë nga një Kolegj Penal i Gjykatës së Lartë, i cili pasi shqyrtoi me vëmendje rastin konstatoi mangësi procedurale duke kthyer çështjen për rigjykim.
Vendimi për tu rigjykuar vjen 6 vjet pasi Gjykata e Apelit të Krimeve të Rënda deklaroi fajtor dhe dënoi me masa të ndryshme dënimi disa prej anëtarëve të grupit që sulmoi brutalisht gardistët. Ndërsa për disa të tjerë Apeli vendosi të shpallë të pafajshëm, si Meti Bozin, Llazar Bicjan dhe Skënder Canin. Të 9 personat e këtij procesi akuzohen për veprën penale të “Vrasjes në rrethana të tjera cilësuese” në dëm të 6 punonjësve të Gardës së Republikës dhe “Vrasje në rrethana cilësuese” mbetur në tentativë ndaj 13 personave të tjerë.
Sipas asaj që relatohet në dosjen hetimore të prokurorisë është provuar se me datën 22 maj 1997 është sulmuar me armë zjarri nga disa shtetas Posta e Policisë në Cërrik, nga ku janë larguar me forcë punonjësit e policisë. Të nesërmen, më 23 maj 1997 forca të policisë së Komisariatit të Elbasanit, të drejtuara nga shefi i atëhershëm Agron Kuliçi në bashkëpunim me forcat e Gardës së Republikës janë nisur në mëngjes drejt Cërrikut për të rivendosur rendin dhe për të grumbulluar armë të cilat gjendeshin në duart e civilëve.
DOSJA
Në dosje thuhet se të pandehurit Arjan Toska, Meti Bozi dhe Roland Xhepexhiu, të cilët kanë qenë në dijeni të lëvizjeve të forcave policore drejt Cërrikut, kanë organizuar një grup personash të armatosur me qëllim goditjen e forcave të Policisë.
Për këtë arsye, këta të pandehur kanë shkuar në mëngjesin e datës 23 maj 1997 në lagjen nr. 3 të qytetit Cërrik dhe kanë takuar të pandehurit: Llazar Bicja, Alban Toska, Bujar Buzani, Tomor Buzani, si dhe shtetasit Luftar Toska, Besnik Toska, Sokol Buzani, Bashkim Buzani të cilët ishin të armatosur dhe qëndronin në një postbllok të krijuar prej tyre, për shkak të hasmërive që kishin me familjen e shtetasit Eduart Peqinit, i njohur me pseudonimin “Mandela”.
Të pandehurit Toska, Xhepexhiu dhe Bozi kanë nxitur personat e mësipërm për të goditur forcat e policisë të cilët do të lëviznin nëpër qytet, duke i mashtruar se gjoja këto forca kishin ardhur nga Tirana me qëllim vrasjen dhe përdhunimin e vajzave dhe grave të tyre.Në momentin kur njëra nga makinat e blinduara të policisë ishin duke kaluar në qendër të qytetit, fluksi i të shtënave në drejtim të forcave speciale të policisë ka qenë maksimal në dy drejtime kryesore.
Makina e blinduar është qëlluar me antitank nga i pandehuri Arjan Toska dhe gjithashtu brenda saj është hedhur edhe një granatë nga ana e Sokol Buzanit (aktualisht i vdekur), veprime që kanë shkaktuar djegien e dy prej gardistëve që ndodheshin brenda saj dhe nga flaka janë detyruar personat e tjerë të dalin nga blindi e më pas të qëllohen me armë zjarri duke shkaktuar vdekjen edhe të tre efektivave të tjerë Gardës. Në përpjekje për tu larguar nga vatra e zjarrit, në afërsi të pallatit nr. 1 të qytetit të Cërrikut, në një arë të mbjellë me thekër, është vrarë edhe një efektiv tjetër i Gardës, shtetasi Qemal Mehmeti.
Gjithashtu, në këtë ngjarje janë plagosur edhe 16 efektiva të tjerë policie. Bujar Buzani njëri prej anëtarëve të bandës, gjatë procesit gjyqësor fitoi statusin e të penduarit. Kanë qenë pikërisht dëshmitë e tij që përveç provave të mbledhura nga organi i akuzës ka ndihmuar për zbardhjen e ngjarjes. Duke pranuar të bashkëpunojë me organin e akuzës, Buzani përfitoi uljen e dënimit. Në fund të procesit në shkallën e parë Gjykata vendosi deklarimin fajtor të pandehurin Buzani për akuzën e vrasjes duke dënuar me 22 vite burg, por në bazë të marrëveshjes me Prokurorinë togat e zeza vendosën dënimin e tij vetëm me 8 vite burg.
DËNIMET NË SHKALLË TË PARË:
Meti Bozi, burgim të përjetshëm për 6 vrasje dhe 16 plagosje të policëve
Arjan Toska, burgim të përjetshëm për 5 vrasje dhe 16 plagosje të policëve
Roland Xhepexhiu, burgim të përjetshëm për 5 vrasje dhe 16 plagosje të policëve
Tomor Buzani, 23 vite burg për 5 vrasje dhe 16 plagosje të policëve
Llazar Bicja, 22 vjet burg për 5 vrasje dhe 16 plagosje të policëve
Alban Toska, 22 vjet burg për 5 vrasje dhe 16 plagosje të policëve
Entel Gashi, 22 vjet burg për 5 vrasje dhe 16 plagosje të policëve
Skëndër Cano, me 21 vjet burg për një vrasje dhe 16 plagosje
Bujar Buzani, i penduar, 23 vjet burg, dënimi ulet në 8 vjet burg
Besnik Sula
Halit Haxhia
Bashkim Mnella
Sali Martini
Qemal Mehmeti
Petrit Ndoi
TË PLAGOSURIT
Gjergj Gjoka
Ded Margjoka
Ferd Laska
Pjetër Nikolli
Petrit Guda
Agron Kuliçaj
Pashk Ndreca
Dritan Hasa
Agim Biberi
Paulin Ndoka
Petrit Nikolli
Luan Prenga
Fari Metaliaj
Petrit Gjoka
Pashk Doda
Sokol Kuça.