AKTUALITET, 1 Korrik 2024, 16:19

Vrasja e biznesmenit Pjerin Xhuvani në Elbasan, dënohet me 7 vite burg Arbër Paplekaj

Vrasja e biznesmenit Pjerin Xhuvani në Elbasan, dënohet me 7 vite burg

Dënohet me 7 vite burg Arbër Paplekaj, i cili akuzohet se vrau biznesmenin Pjerin Xhuvani. Ngjarja ndodhi me 21 prill 2021, 4 para zgjedhjeve parlamentare, në Elbasan.

Vendimi u dha sot nga Gjykata e Apelit te Juridiksionit të Përgjithshëm. 

GJKKO kishte dënuar Paplekajn me 22 vite burg, ndërsa Apeli e ka ulur në vetëm 7 vite. Gjykata e Apelit ka arsyetuar në dhënien e vendimit se vrasja e Pjerin Xhuvanit nga ish-efektivi i RENEA-s është kryer në kushtet e gjendjes së rënduar psikike. Mësohet se dy ish-zëvendës drejtorët e policisë Elbasan dhe efektivet e tjerë u shpallën të pafajshëm.

Si ndodhi krimi

Kujtojmë se ngjarja e bujshme në Elbasan ndodhi 4 ditë përpara zgjedhjeve parlamentare të prillit 2021, ku u vra Pjerin Xhuvani, një eksponent i fuqishëm lokal i lidhur me Partinë Socialiste, i cili ishte i përfshirë direkt në fushatën e PS në këtë qytet. Pjerin Xhuvani mbeti i vrarë në Elbasan pasi u qëllua me armë nga Arbër Paplekaj, shoqëruesi i kreut të listës së Partisë Demokratike, Gazment Bardhi.

Nga ngjarja e 21 prillit, të plagosur mbetën edhe katër persona të tjerë, Emiljan Prenga, Pavlo Vuksani, Eltjon Bodinaku dhe Xhensila Sota (punonjëse e policisë). Paplekaj pranoi krimin dhe u vetëdorëzua në Repartin e Forcave RENEA në Tiranë duke thënë se qëlloi për vetëmbrojtje pasi u qëllua më parë nga persona që sipas tij po blinin vota.