AKTUALITET, 23 Qershor 2026, 09:40

Vizita/ Takimi Rama-Macron në Paris, presidenti francez: Konfirmojmë mbështetjen për Shqipërisë drejt integrimit në BE, forcojmë bashkëpunimin

Vizita/ Takimi Rama-Macron në Paris, presidenti francez: Konfirmojmë

Kryeministri Edi Rama ishte dje në Paris ku u prit në takim nga presidenti i vendit Emmanuel Macron. Ky i fundit në një postim në llogarinë e tij zyrtare në Twitter, ka vlerësuar marrëdhëniet mes dy vendeve dhe thekson bashkëpunimin në disa fusha kryesore.

Ndër të tjera presidenti francez shpreh gjithashtu mbështetjen për rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian dhe për reformat që vendi po ndërmerr në këtë proces.

“Mirë se vini i dashur @ediramaal.

Momenti shumë pozitiv në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Francës në fushat e inovacionit, arsimit dhe arsimit të lartë, kulturës dhe turizmit, dëshmon afërsinë tonë.

Ne duam t’i japim këtij bashkëpunimi një shtysë të re, duke vazhduar njëkohësisht të forcojmë bashkëpunimin tonë ekonomik dhe në fushën e mbrojtjes.

Franca rikonfirmon mbështetjen e saj për integrimin europian të Shqipërisë dhe për vijimin e reformave të nevojshme për të avancuar në rrugën e saj europiane”, shkruan Macron.

Takimi mes dy liderëve u zhvillua në pallatin Elysee në Paris. Në qendër të diskutimeve mes dy udhëheqësve ishte tema integrimi i Shqipërisë në BE si dhe për investimet franceze në Shqipëri. Po ashtu bisedimet u fokusuan rreth disa projekteve, mes të cilave liceu i ardhshëm francez në Korçë.

Vitin e kaluar, kur Macron vizitoi Tiranën, Shqipëria dhe Franca nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi në fushën e energjisë, nënshkruan Memorandumin e mirëkuptimit ndërmjet Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit dhe Agjencisë Franceze për Zhvillim për krijimin e një projekti gjithëpërfshirës për turizmin e qëndrueshëm në rajonin e Korçës si dhe deklaratën e bashkëpunimit për Planin e Veprimit për Inovacionin Francë-Shqipëri.

Në atë kohë Macron premtoi se do të jetë krah Shqipërisë sa i takon rrugëtimit europian, duke thënë se mbyllja  e negociatave deri në vitin 2027 është një realitet dhe se Franca do jetë krah nesh në mënyrë që axhenda të mbahet në kohën caktuar.