AKTUALITET, 30 Qershor 2026, 12:49

VIDEO/ Tensione para Parlamentit, protestuesit përplasen me Policinë dhe sulmojnë me vezë automjetin e Koçiut, vendoset kordon policie

VIDEO/ Tensione para Parlamentit, protestuesit përplasen me Policinë

Situata jashtë ambienteve të Kuvendit të Shqipërisë është tensionuar ndjeshëm këtë të martë, ku protesta e qytetarëve është shoqëruar me përplasje me forcat e Policisë së Shtetit dhe incidente të shumta, ndryshe nga protestat e zhvilluara përgjatë 31 ditëve të fundit.

Për të parandaluar bllokimin e hyrjes kryesore të Parlamentit, Policia e Shtetit ngriti një kordon sigurie dhe u kërkoi protestuesve të lirojnë menjëherë hyrjen e Kuvendit, me qëllim garantimin e lëvizjes së deputetëve dhe zhvillimin normal të seancës plenare.

Pas urdhrit të policisë për zhbllokimin e hyrjes, situata u përshkallëzua ndërsa efektivët nisën të shtyjnë protestuesit për të hapur rrugën. Kjo solli përplasje fizike dhe verbale mes qytetarëve dhe forcave të rendit.

Në kulmin e tensioneve, protestuesit qëlluan me vezë automjetet e disa deputetëve dhe ministrave gjatë hyrjes dhe daljes nga ambientet e Parlamentit, përfshirë këtu edhe automjetin e zv.kryeministres Albana Koçiu.