AKTUALITET, 19 Maj 2026, 13:38

Vendimi/ SPAK kërkoi pushimin e çështjes së Irena Gjokës, GJKKO e kthen për plotësim hetimesh, i lë SPAK 6 muaj kohë

Vendimi/ SPAK kërkoi pushimin e çështjes së Irena

Gjykata e Posaçme ka vendosur të kthejë në SPAK çështjen e gjyqtares Irena Gjoka për plotësim hetimesh. Vendimi u mor sot nga gjyqtarja Marinela Osmani, e cila i ka lënë SPAK një sërë detyrash për të plotësuar dhe një afat kohor prej 6 muajsh.

PD e kallëzoi gjyqtaren Irena Gjoka me pretendimin se ka fshehur në formularin e dekriminalizimit një dënim të dhënë ndaj saj nga një gjykatë greke. Por, SPAK kërkoi pushimin e procedimit penal me argumentin se procesi është zhvilluar në mungesë dhe nuk është vërtetuar nëse Irena Gjoka ka qenë në dijeni të dënimit, duke shtuar se ndjekja penale lidhur me këtë fakt rezulton e shuar për shkak të parashkrimit.

Irena Gjoka ka qenë objekt i sulmeve të përsëritura nga ana e kryetarit demokrat Sali Berisha, duke qenë se ajo ka qenë gjyqtarja e hetimeve paraprake në dosjen e privatizimit të ish-klubit “Partizani”, për të cilën ai është vënë nën akuzë për korrupsion, ndërsa dhëndri i tij Jamarbër Malltezi për korrupsion dhe pastrim parash.