AKTUALITET, 11 Shkurt 2025, 11:37

Vendimi/ Kushtetuesja rrëzon PD për ligjin për Akademinë e Shkencave! Gjyqtarët nuk gjejnë shumicën, ndahen 4 me 4

Vendimi/ Kushtetuesja rrëzon PD për ligjin për Akademinë e

Gjykata Kushtetuese është ndarë në barazim 4-4 dhe për këtë arsye ka rrëzuar kërkesën e Partisë Demokratike për ligjin për Akademinë e Shkencave. Gjyqtarët e Kushtetueses nuk gjetën shumicën që në pikën e parë, atë për shkeljet procedurale dhe nuk vijoi me pretendimet e tjera të demokratëve.

Ligji për Akademinë e Shkencave, shumë i kundërshtuar nga opozita, do të jetë në fuqi, edhe pas shqyrtimit në Gjykatë Kushtetuese. Kërkesa e dorëzuar më 10 maj 2024 e 37 deputetëve të opozitës me në krye Ina Zhupën, është rrëzuar nga Kushtetuesja.

Gjykata nuk ka mundur të bëjë shumicën pasi është ndarë në barazim 4-4, për pikën e parë që deputetët e opozitës kërkonin rrëzimin e ligjit, për shkak të shkeljeve procedurale. Opozita pretendoi se ligji kaloi përmes një mbledhje të parregullt në Komisionin e Edukimit, pasi ky i fundi u mblodh pa dijeninë e kryetares.

Gjatë shqyrtimit Gjykata  Kushtetuese arriti në përfundimin se pika 2 e nenit 78 të Kushtetutës që thotë se “mbledhjet e deputetëve që mbahen pa u thirrur sipas rregullores, nuk sjellin asnjë pasojë” është i vlefshëm edhe për komisionet parlamentare, por gjyqtarët nuk gjetën shumicën nëse në rastin e miratimit të ligjit për Akademinë e Shkencave Partia Demokratike kishte të drejtë.

Gjyqtarët u ndanë në dy qëndrime, 4 gjyqtarë vlerësuan se ligji duhej të shfuqizohej menjëherë për shkak se mbledhja e Komisionit të Edukimit dhe Mjeteve të Informimit Publik ishte thirrur në shkelje të Kushtetutës dhe të mos vazhdohej me pikat e tjera, ndërsa 4 gjyqtarët e tjerë e vlerësuan si të pabazuar këtë pretendim dhe kërkuan shqyrtimin e pretendimeve të tjera në themel.

Për shkak se një shumicë prej 5 votash nuk u gjet për këtë pikë Gjykata Kushtetuese nuk vazhdoi me shqyrtimin e kërkesave të tjera që lidheshin me cenimin e parimit të barazisë përpara ligjit dhe mosdiskriminimit, si dhe të parimit të sigurisë juridike.

Në kërkesën me 37 firma deputetësh opozita pretendonte se ndryshimet ligjore kanë shkelje të mëdha kushtetuese, ku më themelorja ishte fakti se politika kap Akademinë e Shkencave, i bërë sipas deputetes Zhupa që në krye të këtij institucioni të zgjidhej Skënder Gjinushi.