AKTUALITET, 18 Maj 2026, 10:38

Vendet e BE drejt konsensusit për IBAR, për Shqipërinë, Këshilli: Përparim i mirë, optimizëm për marrëveshje në ditët në vijim

Vendet e BE drejt konsensusit për IBAR, për Shqipërinë,

Në Këshillin e Bashkimit Evropian, 27 vendet anëtare të Unionit, kanë bërë përparim të mirë në bisedimet për Shqipërinë dhe janë afër arritjes së pozicionit të përbashkët për negociatat. 

Me miratimin e IBAR, Raportin e Vlerësimit të Pikave të Ndërmjetme për progresin e deritanishëm të Shqipërisë, do t'i hapej rrugë mbylljes së kapitujve të parë në procesin e negociatave. Lajmi është konfirmuar për Report Tv nga një burim brenda Këshillit, i cili nënvizon se pas përparimit në mbledhjen e fundit ka optimizëm se qëndrimi i përbashkët për grupkapitullin 1 të arrihet në ditët në vijim.

“Po, është arritur përparim i mirë në mbledhjen e fundit të COELA-s mbi draftin e ndërmjetëm të Pozicionit të Përbashkët të BE-së (EUCP) për grupkapitullin 1.

Ne kurrë nuk zbulojmë detaje të diskutimeve të tilla në organet përgatitore të Këshillit, përfshirë COELA-n, për shkak të natyrës së tyre rreptësisht konfidenciale. Siç u tha më sipër, është bërë përparim. Qëndrimet e shteteve anëtare janë afruar mbi tekstin, por ende nuk është arritur konsensus”, thotë Këshilli i Bashkimit Evropian.

Këshilli e evidenton faktin se periudha 2 mujore e deritanishme e diskutimeve është normale për çështje të tilla.

“Në të tilla raste të ngjashme kërkohen gjithmonë diskutime të gjata dhe të vështira. Nuk është e lehtë të arrihet dakordësi mes të 27 shteteve anëtare për një tekst të përbashkët, ndaj periudha prej dy muajsh duket krejt normale. COELA do t’i rikthehet kësaj çështjeje të martën e ardhshme, më datë 19 maj, dhe ekziston një optimizëm i kujdesshëm se një marrëveshje mund të arrihet relativisht shpejt në ditët në vijim”, përgjigjet Këshilli i Bashkimit Evropian.

Në fund të muajit shkurt Komisioni europian i dorëzoi vendeve anëtare raportin mbi ecurinë e Shqipëri në plotësimin e atyre që quhen piketat e ndërmjetme e që përfshijnë fusha delikate si sundimi i Ligjit e drejtësia. Për Komisionin europian vlerësimi ishte pozitiv. Deri më tani mes vendeve anëtare, të përfaqësuara në Grupin e punës për Zgjerimin, COELA, janë zhvilluar disa takime. Një proces i cili zgjoi në Shqipëri dilema dhe hamendësime, për ngecje apo deri dhe ngrirje.

Një lajm të mirë nga Brukseli e paralajmëroi edhe Kryeministri Rama vetëm një ditë më herët, në podcastin e tij “Flasim”.