AKTUALITET, 31 Mars 2024, 22:23

Veliaj poston foto të tjera nga spitali: Humba 2 gurë bashkë me tëmthin, por fitova dy shokë përjetë

Veliaj poston foto të tjera nga spitali: Humba 2 gurë bashkë me

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili tha se i është nënshtruar dje një ndërhyrjeje kirurgjikale për heqjen e gurëve në tëmth, ka publikuar sot foto nga spitali, krah kirurgëve dhe stafit mjekësor, pas asaj të mëngjesit kur uroi Pashkët me foton e të birit.

Në një postim në rrjetet sociale, Veliaj shkruan se teksa humbi 2 gurë bashkë me tëmthin, fitoi dy shokë përjetë, referuar kirurgt dhe reanimatorit që morën pjesë në operacionin e tij.

Postimi i Veliajt

Si shumë prej nesh, që i japin mend botës dhe neglizhojnë veten, kisha neglizhuar prej kohësh një problem me gurët në tëmth, deri kur situata po bëhej akute dhe u desh ndërhyrja kirurgjikale në QSUT, këtë fundjavë Pashke.

Por, teksa humba 2 gurë bashkë me tëmthin, fitova dy shokë për jetë, kirurgun e super talentuar Endri Shehu dhe reanimatorin ekselent, Ernest Caka, djem të rinj e të papërtuar, rritur me halle, e që ia kanë dalë vetë në çdo hap të karrierës.

Unë isha vetëm një nga 8 operacionet që ata kryen atë ditë, duke ruajur njerëzillëkun e mirësinë tek secili prej nesh, nga ora 8 e mëngjesit deri në mesnatë!

Por, nuk ka dishepuj të mirë pa mentorë të zotë si Prof. Arben Gjata dhe Prof. Krenar Lilaj, që kanë rritur një fidanishte mjekësh të rinj e të talentuar, me durim e mendje të hapur. Kujdesin e tyre ndaj meje dhe pacientëve të tjerë, këtë fundjavë, e përjetova plot mirënjohje dhe admirim.

Dhe qershia mbi tortë: një skuadër post operatore infermierësh, e drejtuar nga e papërtuara Aida Hajro, me djem e vajza të marrë me rezultate të shkëlqyera nga portali, më mbushi me shpresë sesi një reformë aq e debatuar ia ka dalë të prodhojë një dream-team, që ia kalon privatit, si në cilësinë e shërbimit edhe në kushtet e spitalit.

Shumë kurajo Ministres Albana Koçiu dhe Dr. Alma Canit, që po vazhdojnë me guxim dhe fokus punën e mbarë të nisur nga Ogerta Manastirliu dhe Albana Fico, për ta kthyer QSUT në histori mbresëlënëse transformimi.

Ky vend ka kaq talent, mirësi, dashuri e mençuri, sa shpesh i çmojmë vetëm në fatkeqësi si tërmeti, pandemia apo sfidat personale. Ka policë, ushtarakë, zjarrfikës, mësues, mjekë e infermierë plot dinjitet e profesionalizëm, për t’i pasur zili e gjithë bota. Ndaj, lipset nga secili prej nesh ta inkurajojmë të mirën, të bukurën e talentin, çdo ditë!

Ky ishte përjetimi i kësaj Pashke nga unë, Ajola dhe Kajan, me lutjet për më shumë dashuri, shëndet e mbarësi për gjithë familjet tuaja e vendin tonë të bekuar! Përulësisht mirënjohje për gjithë mesazhet tuaja dhe bekime pafund!