TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Financierja Adela Kondakçiu, ka paraqitur këtë të hënë konkluzionet e mbrojtjes në seancën gjyqësore.
Juristja ka pretenduar pafajësi, duke kundërshtuar kërkesën e SPAK për dënimin e saj.
“Nuk kam bërë asgjë, nuk kam pasur pjesëmarrje, kam zbatuar urdhrat dhe nuk kam përfituar asgjë”, tha Kondakçiu në seancë përpara trupës së gjyqtarëve.
Prokuroria e Posaçme tha se Kondakçiu u ka qëndruar atyre që ka thënë më herët, megjithatë u shpreh se këto janë pretendimet e saj.
Ndërsa mbrojtja ligjore e Kondakçiut tha se roli i saj ka qenë kryesisht teknik dhe jo vendimmarrës. Për këtë arsye, i kërkoi gjykatës të mos e konsiderojë përgjegjëse klienten e saj për kryerjen e veprës penale të “pastrimit të parave”.
“Ajo nuk ka asgjësuar dokumente, nuk ka fshehur dokumente, nuk ka manipuluar serverë, librat e shitjes dhe të blerjes, nuk ka penguar hetimin apo të ketë dhënë deklarime të rreme”, tha avokati mbrojtës në seancë.
Në seancën e kësaj të hëne u bë vetëm mbrojtja e Kondakçiut, pasi të tjerët kërkuan kohë për të përgatitur mbrojtjen. Seanca e radhës u caktua më 23 korrik, kur do të vijojnë konkluzionet përfundimtare të avokatëve të të pandehurve të tjerë.
Kondakçiu, së bashku me disa të pandehur të tjerë, po gjykohet e ndarë nga Erion Veliaj, pasi kanë kërkuar gjykim të shkurtuar. Për të, SPAK ka kërkuar dënimin me 4.8 vite burg dhe pezullimin e ekzekutimit të dënimit për shkak të bashkëpunimit me Prokurorinë.