AKTUALITET, 30 Janar 2023, 21:47

Vangjeli: McGonical takoi shumë politikanë, biznesmenë, gjyqtarë dhe prokurorë, askush nuk do ta refuzonte kartvizitën "FBI"

Vangjeli: McGonical takoi shumë politikanë, biznesmenë,
Fotomontazh: Vangjeli-McGonigal

Analisti Lorenc Vangjeli tha në studion e emisionit “Të Paekspozuarit” se ish-zyrtari i lartë i FBI-së, Charles McGonigal ka takuar shumë politikanë, biznesmenë dhe njerëz të ligjit dhe se askush nuk do ta refuzonte me atë kartvizitë që kishte. Nga ana tjetër Vangjeli tha se, një javë pasi plasi skandali, në Tiranë i është bërë gjyqi dhe i është dhënë dënimi McGonigal, duke e quajtur edhe vrasës me pagesë, siç e cilësoi kryetari i PD-së, Berisha, kur përmendi faktin se është paguar nga qeveria Rama për të punuar në SHBA kundër opozitës shqiptare.

“Lista e atyre që ka takuar McGonigal është shumë e gjatë dhe tani duhet pyetur kë nuk ka takuar. Mes tyre ka shumë politikanë, shumë biznesmenë, shumë gjyqtarë dhe prokurorë. Sot jemi ende shumë larg mundësisë për të dhënë prova, por mund të hedhim dritë për spekulimet që bëhen në Tiranë.

Bëhet fjalë për shuma në miliona euro që janë marrë në Shqipëri dhe në Kosovë, në premtim të shërbimeve të mundshme hipotetike që mund të bëheshin, që po thuhen nga vetë viktimat që kanë paguar shifra të konsiderueshme. Ka pretendime që, në mënyrë të tërthortë, është tentuar të ndërhyhet në procesin e vettingut, duke kërkuar garanci që dikush e kalon ose jo.

Shqiptarët kanë parë më së paku një film triller amerikan dhe kanë idenë se FBI-ja është bën gjithçka dhe kushdo që vjen me këtë stampë në fanellë nga pas është gati-gati si një i dërguar i Zotit.

Nëse shikon prej një jave në gjithë çfarë ka ndodhur në hapësirën mediatike shqiptare në studio e portale dhe brenda në politikë, përpara se të ndodhë në SHBA, ne i kemi bërë gjyqin, kemi caktuar fajësinë dhe e kemi shpallur fajtor ish-zyrtarin e lartë të FBI-së, madje duke e rikualifikuar akuzën që e kanë bërë amerikanët në Nju Jork dhe Uashington, nga Tirana është arritur kulmi sepse është konsideruar edhe si vrasës me pagesë.

Sot është e qartë, sipas akuzës, që të gjitha vizitat e tij, në detyrë apo kur kishte dalë në pension, ishin private, por askush në Tiranë, që do t’i prezantohej, nuk do ta refuzonte atë kartvizitë, do ta pranonte ta takonte dhe askush prej tyre nuk do t’i thoshte se me çfarë cilësie vjen, kush t’i paguan shpenzimet, çfarë synimesh keni, keni njoftuar apo jo zyrtarët amerikanë për këto udhëtime e kështu me radhë. Kjo është ajo pjesa për një moment reflektimi për shtetbërje apo qytetarë seriozë të një shteti serioz”-tha Vangjeli.