AKTUALITET, 23 Qershor 2026, 21:26

Universiteti “Aleksandër Moisiu” me kampus të ri, shpallet projekti fitues mes 5 ekipeve ndërkombëtare, Rama: Investim strategjik për Durrësin

Universiteti “Aleksandër Moisiu” me kampus të ri, shpallet

Konkursi Ndërkombëtar për kampusin e ri universitar “Aleksandër Moisiu” të Durrësit u finalizua sot me shpalljen e projektit fitues 51N4E me JESHILE Landscape Design.

Pas një gare që mblodhi 41 ekipe shqiptare dhe ndërkombëtare, sot 5 ekipet finaliste prezantuan vizionet e tyre për kampusin e ri universitar të Durrësit, një investim transformues për arsimin e lartë, kërkimin shkencor dhe jetën studentore në Shqipëri.

Synimi është krijimi i një hapësire të madhe e të bukur, ku arsimi, kërkimi shkencor, inovacioni, sipërmarrja, kultura dhe jeta studentore ndërthuren në një ekosistem të vetëm zhvillimi njerëzor e social.

Në garë ishin studio dhe arkitektë me reputacion ndërkombëtar, që sjellin vizione të ndryshme për mënyrën se si duhet të jetë kampusi i së nesërmes.

Projekti fitues u vlerësua nga juria pasi dëshmon se si peizazhi i infrastrukturës dhe zhvillimi urban mund të mblidhen bashkë në një kuadër koherent të aftë të orientojë rritjen me kalimin e kohës.

Juria vlerësoi karakterin vizionar të propozimit dhe kapacitetin për t’u rritur me kalimin e kohës përmes një strategjie të qartë e koherente afatgjatë.

Projekti ofron një variacion të pasur kushtesh hapësinore duke krijuar një kampus me identitete të shumëfishta. Propozimi dëshmon një kuptim të thellë të vetë zonës dhe paraqet një kuadër realist për zhvillimin e ardhshëm.

Juria sidomos ka vlerësuar përdorimin e peizazhit si një pikë fillim i qasjes urbanistike. E po kështu edhe menaxhimin dhe kullimin e ujit dhe transformimin e kësaj sfide në një themel të vizionit të vetë.

Juria vlerësoi të gjithë ekipet pjesëmarrëse për cilësinë, ambicien dhe larminë e propozimeve të prezantuara.

Secili projekt i qaset sfidës nga një këndvështrim i veçantë duke ofruar ide të vlefshme për zhvillimin e ardhshëm të universitetit dhe raportin e tij me qytetin e Durrësit dhe me territorin më gjerë.

Ky konkurs shihet si një hap i madh drejt kampusit të së ardhmes, jo vetëm si projekt ndërtimi, por si një investim në cilësinë e arsimit të lartë, jetën studentore dhe zhvillimin urban të Durrësit.