AKTUALITET, 9 Shkurt 2025, 16:08

Çuan drejt vetëvrasjes të miturat me foto intime në Instagram, gjykata e Korçës liron dy të rejat

Çuan drejt vetëvrasjes të miturat me foto intime në

Tre ditë pas arrestimit me akuzën e pornografisë me të mitur, Gjykata e Korçës ka marrë vendimin për dy vajzat e përfshira në këtë çështje.

Në një seancë që zgjati rreth dy orë e gjysmë, gjykata vendosi masën e “detyrimit për paraqitje” për 19-vjeçaren, ndërsa për 17-vjeçaren u caktua masa e “mbikëqyrjes nga prindërit”.

Dy vajzat dyshohet se janë përgjegjëse për një faqe në Instagram, ku publikoheshin foto, video intime dhe të dhëna për disa vajza adoleshente me fjalë denigruese.

Sakaq, hetimet vazhdojnë për të sqaruar plotësisht rrethanat e rastit dhe për të përcaktuar përgjegjësitë ligjore të secilës prej tyre.

"Në Gjykatën e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjitshëm Korçë, u zhvillua sot në datën 09.02.2025 ora 13:00 seanca me objekt: “Vleftësim ndalimi, caktim mase sigurimi”, ndaj shtetases P.M dhe E.P, ku gjykata në përfundim vendosi:

1- Vleftësimin si të pa ligjshëm të ndalimit dhe caktimin e masës së sigurimit “Detyrim per t’u paraqitur në policinë gjyqësore” ndaj shtetases P.M, e dyshuar për kryerjen e veprës penale “Pornografia”, parashikuar nga neni 117/2 dhe 25 i Kodit Penal.

2- Vleftësimin si të pa ligjshëm të ndalimit dhe caktimin e masës së sigurimit “Vendosja e të miturës në mbikqyrje” ndaj shtetases E.P, e dyshuar për kryerjen e veprës penale “Pornografia”, parashikuar nga neni 117/2 dhe 25 i Kodit Penal"- njoftoi gjykata.

Sipas informacioneve zyrtare, P. M. ishte administratorja kryesore e profilit në Instagram, ndërsa 17-vjeçarja menaxhonte aplikacionin “Tellonym”, i cili ishte i lidhur me këtë faqe. Ato dyshohen për përhapjen e materialeve me përmbajtje bullizuese dhe pornografike ndaj të miturve dhe akuzohen për veprën penale “Pornografi me të mitur”.

Për shkak të peshës së madhe psikologjike, denigrimit të figurës së tyre, ka pasur edhe vajza që në pamundësi për të përballuar me ekspozimin e jetës private, kanë tentuar t’i japin fund jetës. Madje janë regjistruar jo një, por tre raste të tilla. 

Nuk dihen ende arsyet se pse dy vajzat autore degradonin deri në këtë pikë, por një gjë është e sigurt, Korçën e “kaploi” frika, pasiguria dhe terrori. Njëra prej tyre ka tentuar vetëvrasjen me thikë, një tjetër me ilaçe, ndërsa rasti i tretë është ndaluar në kohë nga familjarët.

Hetimet për këtë ngjarje nisën pas një denoncimi të bërë nga një oficere sigurie në një prej gjimnazeve të Korçës. Sektori Kundër Krimit Kibernetik në Policinë e Shtetit ndërmori menjëherë veprime për të zbuluar administratorët e faqes, e cila për një kohë të gjatë ka qenë aktive, duke postuar në mënyrë të përsëritur përmbajtje të dëmshme për adoleshentët e qytetit.

Në rrjetën e këtij sulmi kibernetik kanë rënë mbi 100 të rinj, kryesisht vajza, të cilat janë bullizuar publikisht, ndërsa në vetëm tre ditët e fundit janë identifikuar më shumë se 20 viktima.

Për momentin faqja është mbyllur, ndërsa autoritetet po vijojnë hetimet për të përcaktuar shkallën e përgjegjësisë së të dyshuarave dhe për të zbardhur motivet e këtij makabriteti.