TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Mbahen sot homazhet në nderim të ish-kryetarit të Kuvendit, Servet Pëllumbi, i cili u nda nga jeta një ditë më parë (5 maj) në moshën 89-vjeçare.
Arkmorti është vendosur në hollin e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit, ku qytetarë, familjarë dhe zyrtarë do t’i japin lamtumirën e fundit.
Homazhet nisën në orën 09:30, ndërsa në orën 12:30 do të mbahet ceremonia e përcjelljes së tij drejt banesës së fundit, me shoqërim sipas protokollit shtetëror.
Në orën 13:00, kortezhi do të niset drejt varrezave të Sharrës, ku do të prehet trupi i Servet Pëllumbit.
Pëllumbi u shua pak javë para ditëlindjes së 35-të të PS, partisë së cilës i dha një kontribut të çmuar që në fillimet e saj.
Ai njihet si një nga deputetët më jetëgjatë të Kuvendit të Shqipërisë, me pjesëmarrje aktive në komisionet e ndryshme parlamentare. Në vitin 2002 ai u zgjodh kryetar i Parlamentit, post të cilin e mbajti deri në vitin 2005.
Pëllumbi u diplomua për studimet e larta në Universitetin e Petersburgut me titullin doktor i shkencave në Letërsi. Nga viti 1960 – 1963, ai punoi si pedagog në Institutin Pedagogjik në Korçë dhe më pas e ushtroi këtë profesion deri më 1977. Në po këtë vit ai u zgjodh anëtar i Komitetit Drejtues së Partisë së Punës. Për gati tre vjet ka qenë pedagog në Universitetin e Tiranës. Ai është autor i dhjetëra librave dhe studimeve në filozofi, politikë dhe demokraci. Ndryshimet demokratike në vitin 1990 e pozicionuan Servet Pëllumbin në postin e nënkryetarit të PS, si pjesa konservatore e kësaj partie, përballë rrymës liberale të Fatos Nanos. Këtë post ai e mbajti deri në vitin 1996.