AKTUALITET, 31 Mars 2024, 22:50

U konfliktuan me thika ndërsa lëviznin me makina, policia jep detaje për vdekjen e 18-vjeçarit në Tiranë

U konfliktuan me thika ndërsa lëviznin me makina, policia jep detaje

Një sherr ka ndodhur mes disa të rinjve në zonën e Shkozës në Tiranë, ku për pasojë ka humbur jetën një 18-vjeçar. 

Viktimë ka mbetur Aurelio Dervishi. Sipas burimeve, 18-vjeçari fillimisht ka mbetur i plagosur rëndë, por ka ndërruar jetë rrugës për në spital.

Konflikti dyshohet se ka qenë i çastit midis dy grupeve të rinjsh. Në konflikt janë përfshirë shumë persona, të paktën nga 3 në të dyja grupet.

'Më datë 31.03.2024, rreth orës 21:50, tek rrethi i Shkozës, si pasojë e një konflikti të çastit mes disa shtetasve që lëviznin me dy automjete, (të cilët më pas janë konfliktuar fizikisht me mjete prerëse), është goditur me mjet prerës shtetasi A. D., 18 vjeç. Si pasojë e dëmtimeve të marra ky shtetas ka ndërruar jetë rrugës për në spital. Grupi hetimor po punon për kapjen e autorëve të dyshuar dhe sqarimin e rrethanave të ngjarjes.'- njofton policia.