AKTUALITET, 26 Qershor 2026, 09:07

U konfliktuan dhe qëlluan armë për të kërcënuar njëri-tjetrin, në pranga dy fqinjët në Shkodër! Një në kërkim

U konfliktuan dhe qëlluan armë për të kërcënuar

Dy persona kanë rënë në pranga nga policia e Shkodrës pas një konflikti të ndodhur mbrëmjen e djeshme.

Dy të arrestuarit janë identifikuar si N.Lufi dhe A.Fojleta. Ndërkohë një tjetër është shpallur në kërkim për moskallëzim krimi.   

Njoftimi i policisë

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër, në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale të kryera për zbardhjen e rrethanave të konfliktit të ndodhur mbrëmjen e datës 25.06.2026, në lagjen “Tre Heronjtë”, arrestuan shtetasit:   

 -N. L., 63 vjeç dhe A. F., 27 vjeç, të dy banues në lagjen “Tre Heronjtë”, Shkodër. 

Nga hetimet dyshohet se shtetasit A. F. dhe N. L. (fqinj) janë konfliktuar për motive të dobëta dhe kanë qëlluar me armë zjarri, për të kanosur njëri-tjetrin. Si pasojë e të shtënave janë dëmtuar porta e oborrit të banesës së shtetasit N. L. dhe një automjet i parkuar në oborr.  

Gjatë kontrollit në banesën e shtetasit N. L., shërbimet e Policisë gjetën 1 armë zjarri kallashnikov, e dyshuar e përdorur gjatë konfliktit, ndërsa gjatë kontrollit në banesën e shtetasit A. F., gjetën municion luftarak dhe 4 kallëpe lënde të dyshuar plasëse tritol. 

Në vijim të veprimeve procedurale, u shpall në kërkim shtetasi A. F., 26 vjeç, banues në Shkodër, pasi dyshohet se ka qenë i pranishëm gjatë konfliktit, por nuk ka kallëzuar. 

Vijon puna për kapjen e tij dhe për dokumentimin e plotë ligjor të rrethanave të rastit.  

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.