AKTUALITET, 13 Dhjetor 2024, 20:36

U gjet i mbytur në kanalin vaditës Peqin-Kavajë, dyshohet se është 25-vjeçari i zhdukur prej disa ditësh

U gjet i mbytur në kanalin vaditës Peqin-Kavajë, dyshohet se

Mbrëmjen e kësaj të premteje rreth orës 17:30 në rrjedhën e kanalit vaditës Peqin -Kavajë është gjetur i pajetë një person i seksit mashkull. Sipas burimeve zyrtare kufoma u gjet në kanalin vaditës në afërsi të fshatit Hoxhaj të bashkisë së Peqinit.

Nxjerrja e kufomës u bë e mundur vetëm pas ndërhyrjes së forcave të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit  të Peqinit. Kufoma u identifikua se i përket shtetasit A.D ,25 vjeç nga Peqini.

Sipas korrespondentes së Top Channel Bruna Kërçyku, ai rezultonte i humbur prej 10 ditësh. 25 vjeçari njihej si person me probleme të shëndetit mendor  dhe që nga dita që u shpall i humbur kërkimet për gjetjen e tij u shtrinë në të gjithë zonën dhe përgjatë rrjedhës së lumit Shkumbin dhe kanalit vaditës Peqin-Kavajë.

Kufoma e 25 vjeçarit u dërgua në morgun e Spitalit Rajonal të Elbasanit për autopsi ,ndërkohë që policia dhe prokuroria po kryejnë hetime për zbardhjen e plotë të ngjarjes.