AKTUALITET, 31 Mars 2024, 14:52

"U fik që të kalonte dikush?", Policia e Shtetit mohon rënien e sistemit TIMS në Rinas

"U fik që të kalonte dikush?", Policia e Shtetit mohon

Policia e Shtetit me anë të një reagimi ka mohuar lajmet e qarkulluara në rrjetet sociale se ka rënë sistemi TIMS në Rinas.

Sipas policisë, çdo gjë funksionon normalisht, ndërsa thekson se ka fluks të shtuar të turistëve që duan të vizitojnë Shqipërinë.

Policia e Shtetit thotë se është e angazhuar maksimalisht për t’iu ofruar shërbim sa më cilësor të gjithë qytetarëve në hyrje dhe dalje, në pikat e kalimit kufitar.

“Sistemi TIMS funksionon normalisht në të gjitha pikat e kalimit kufitar dhe në asnjë pikë kalimi nuk është evidentuar asnjë problematikë, përveç fluksit të shtuar të turistëve dhe vizitorëve që hyjnë në vendin tonë.

Policia e Shtetit është e angazhuar maksimalisht për t’iu ofruar shërbim sa më cilësor të gjithë qytetarëve në hyrje dhe dalje, në pikat e kalimit kufitar, si dhe ka rritur vigjilencën për kapjen e shtetasve në kërkim,  parandalimin dhe goditjen e krimeve ndërkufitare.

Lajme të tilla të pavërteta të cilat krijojnë pakënaqësi dhe cenojnë imazhin e punës së Policisë, duhet të konfirmohen nga autoritetet policore”, thuhet në reagimin e Policisë.

Reagimi erdhi pas një denoncimi të deputetit demokrat Lefter Gështenja, që e ka konsideruar skandal, situatën që po ndodh sot në Rinas, ku Sistemi TIMS ka rënë dhe atje është krijuar kaos.

Gështenja ka ngritur dyshime se cila është e vërteta që qëndron pas kësaj, punë hakerësh apo mos ndoshta duhet të kalonte dikush në aeroport pa u regjistruar?!

“Skandal, - denoncoi ai në Fb. -  Bie Sistemi TIMS, kaos në aeroportin "Nënë Tereza".  Hyrje-daljet e qytetarëve shënohen në bllok. Kjo është situata në këto momente, 31.03.2024!

Sistemi TIMS është një sistem që përdoret për hyrje-daljet, është sistemi që ti je në kufi, jep pasaportën dhe dikush e fut në sistem ku nga ai moment del se ti ke hyrë apo dalë nga Shqipëria.

Në momentin që Sistemi TIMS nuk funksion, policia dhe institucionet e tjera nuk kanë asnjë mundësi që të kenë informacion se kush hyri apo kush doli në kufi.

Vallë të jetë kjo arsyeja e rënies së sistemit? Presim ndonjë status të qeverisë. Është hakeruar sistemi apo duhet të kalonte ndonjë mik i qeverisë?” ngriti pikëpyetjen, deputeti.