AKTUALITET, 14 Maj 2026, 20:42

U aksidentua nga një motor teksa po lëvizte me biçikletë në Tiranë, vdes në spital babai i ministres Pirdeni

U aksidentua nga një motor teksa po lëvizte me biçikletë

Ditën e sotme, babai i ministres Adea Pirdeni u përfshi në një aksident automobilistik dhe për fat të keq ka humbur jetën.

Aksidenti ndodhi rreth orës 12:00 në rrugën ‘Bardhyl’ në Tiranë, ku 87-vjeçari Luan Pirdeni ka qenë duke lëvizur me biçikletë, në momentin që është përplasur nga një motomjet.

Pas aksidentit, Luan Pirdeni është transportuar me urgjencë në Spitalin e Traumës në kryeqytet, ku i është dhënë ndihma e parë mjekësore, i është dhënë gjak, por nuk ia ka dalë të mbijetojë.

Ministrja Adea Pirdeni ka qenë pranë tij gjatë këtyre momenteve në spital. Më herët, deputetët ndërprenë mbledhjen e Këshillit për Rregulloren dhe Mandatet, sepse thanë se gjendja shëndetësore e babait të ministres është shumë e rëndë dhe disa prej tyre po shkonin atje.

Policia ka vënë në pranga 31-vjeçarin Sejdi Milla, drejtuesin e motomjetit që përplasi babain e ministres, ndërkohë grupi hetimor vijon për punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit.

"Specialistët e qarkullimit rrugor arrestuan shtetasin S. M., 31 vjeç, pasi në kryqëzimin e rrugës “Bardhyl” me rrugën “Kongresi i Manastirit”, duke drejtuar motomjetin, është përplasur me biçikletën me të cilën lëvizte shtetasi L. P., 87 vjeç.

Si pasojë e aksidentit, 87-vjeçari ka humbur jetën në spital.

Grupi hetimor vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave të aksidentit"- njoftoi policia.