AKTUALITET, 4 Nëntor 2024, 21:20

"Trump-i i ka qejf njerëzit si Rama, mos ju lë në baltë?!"/ Këlliçi nga Amerika: Rama, ushtar besnik i Soros!

"Trump-i i ka qejf njerëzit si Rama, mos ju lë në

Belind Këlliçi, ka folur nga SHBA, për zgjedhjet që do të mbahen ditën e nesërme. 

Në një lidhje direkte për emisionin "Të Paekspozuarit" në MCN TV, Këlliçi tha se gara është shumë e ngushtë dhe se komuniteti shqiptar mund të bëjë diferencën në Miçigan, një nga shtetet kyçe. 

Këlliçi u pyet nga Ylli Rakipi për angazhimin e tij dhe të kolegëve të PD, Vokshi dhe Mediu, të cilët janë nisur drejt SHBA-ve për zgjedhjet, por edhe për faktin që Trump ka një simpanti edhe për kryeministrin Rama. 

Pjesë nga biseda:

Belind Këlliçi: Në pjesën dërrmuese të kontakteve që kam patur, sepse është hera e tretë që vij brenda 6 javësh, kam takuar diasporën shqiptare, në pjesën dërrmuese, mbi 70%-80% votojnë hapur për Trump. Është efekti që tha zoti Nesho, një pjesë e atyre që votojnë Trump janë të heshtur, por këtë rradhë, nga eksperienca që kam patur, shihet një diferencë e madhe në raport me zgjedhjet e 2016 dhe 2020, për faktin që personat që kanë votuar më herët, kanë dalë hapur si mbështetës të zotit Trump. Kjo vjen edhe për shkak të polarizimit që ka politika amerikane sot dhe frika e mbështetësve të Trump që mund të ndodhë një ndërhyrje në proces. Ka një mobilizim të shtuar të mbështetësve të Trump për të marrë pjesë në votim. Nga të dhënat paraprake, pothuajse në 80 milionë, Harris ka epërsi edhe për shkak të numrit të lartë të zonjave që kanë marrë pjesë në votim. Por e gjitha vendoset nesër. Ta kalosh në rrugët e Michigan, mund të jetë raporti 10/1 e tabelave që janë vendosur pro Trump.

Ylli Rakipi: Ti je takuar edhe me Trump.

Belind Këlliçi: Nuk është se unë i dola para Trump. Ka qenë takim i dakordësuar. Në atë pak kohë që kam folur, i kam folur për Shqipërinë dhe të vetmen gjë të ngjashme, dinte shumë mirë përdorimin e sistemit të drejtësisë si një armë kundër kundërshtarit politik. Pra e njëjta gjë që ka ndodhur me prokurorë të lobuar nga fondacioni Soros në SHBA, e njëjta gjë ka ndodhur edhe në Shqipëri, ku prokurorë nën ndikimin e reformës në drejtësi dhe Shoqërisë së Hapur, kanë ndërmarrë të njëjtat hapa.

Ylli Rakipi: Ju jeni aty, është edhe Vokshi, edhe Fatmiri, se ju tani po shkoni, por Fatmiri bashkëjton prej kohësh me politikën amerikane... Ju doni patjetër fitoren e Trump. Duket që thellë thellë edhe Edi Rama sikur këtë gjë do. Madje janë bërë gati edhe me këto punët e biznesit, Zvërneci, Sazani… Edhe si natyrë shkon shumë me natyrën e Ramës. Se mos ju lë në baltë edhe ku do të futeni pastaj? Se ky Trumpi i ka qejf këtë kategori si Rama.

Belind Këlliçi: Partia Republikane është simotër e partisë tonë. E kemi për detyrë të suportojmë partinë tonë simotër. Pra është diçka e natyrshme. Në rastin konkret, nuk e di se çfarë dëshirash ka ushtari më besnik i George Soros, Edi Rama. Mendoj se do të ishte mirë edhe për Amerikën por edhe për botën, që të kishte një ndryshim në SHBA dhe Presidenti Trump të zgjidhej. Do të kishte ulje të influencës së fondacionit të Soros në Shqipëri. Se çfarë bën Rama, pak më intereson. 

Ylli Rakipi: Ka edhe një kënd tjetër. Trump, në katërvjecarin e tij, duke mos patur shumë suksese në politikën e jashtme, duke dashur të bëjë edhe gjëra shpejt, gati një pjesë të Kosovës ua hodhi serbëve. 

Belind Këlliçi: Nuk është e vërtetë. Ka patur një marërveshje të nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë. Ka qenë tezë hipotetike ajo e shkëmbimit të territoreve. Nuk ka asnjë qëndrim nga Trump, që e përforcon këtë ide të shkëmbimit të territoreve. Mund të ketë patur një ide fillestare, e hedhur nga ish këshilltari John Bolton. Edhe me kontaktet në Michigan, edhe me drejtues të organizatave shqiptare, me të gjithë që janë në kontakt me përfaqësues të partisë Republikane, pohojnë se nuk ka asnjë plan të tillë.