AKTUALITET, 25 Maj 2026, 11:02

Tritol marketit në Shkozë, dyshohet hakmarrje për atentatin e 18 majit ku mbeti i plagosur efektivi Anxhelo Kumaraku

Tritol marketit në Shkozë, dyshohet hakmarrje për atentatin e 18

Një shpërthim me tritol ka ndodhur mëngjesin e sotëm në Tiranë në një dyqan, ngjarje e cila dyshohet si hakmarrje. 

Marketi ku u vendos tritoli në orët e para të mëngjesit në Shkozë është në pronësi të Lulzim Likës, babait të Aldo dhe Ali Lika, të shpallur në kërkim për atentatin e një jave më parë ndaj Kejdi Spajës, ku mbeti i plagosur polici Anxhelo Kumaraku.

Ngjitur me marketin ndodhet edhe një lokal i cili është në pronësi të vëllait tjetër të Likëve.

Ngjarja dyshohet të jetë hakmarrje e atentatit të 18 majit, megjithatë deri tani nuk dihet autori. Ai është i maskuar mirë dhe largohet nëpër rrugica në këmbë.

Lënda shpërthyese dyshohet se ishte vendosur në motorin e kondicionerit, ndërkohë që shpërthimi ka shkaktuar vetëm dëme materiale.

“Rreth orës 04:15, në rrugën “Ramazan Gaxheri”, në pjesën e jashtme të një marketi, dyshohet se te motori i kondicionerit, ka shpërthyer një sasi lënde e dyshuar plasëse.
Nga shpërthimi janë shkaktuar vetëm dëme materiale.
Shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe vijojnë punën për identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve, si dhe për dokumentimin e plotë të rrethanave të rastit.”, sqaron policia.