AKTUALITET, 1 Korrik 2026, 12:25

Trishtuese/ Studiuesi i letërsisë shqipe, Ali Xhiku ndërron jetë në moshën 83-vjeçare

Trishtuese/ Studiuesi i letërsisë shqipe, Ali Xhiku ndërron

Pedagogu dhe studiuesi i letërsisë shqipe, Ali Xhiku ka ndëruar jetë në moshën 83-vjeçare.

Studiuesi i shquar, ka shërbyer edhe si zv/dekan e dekan pranë Fakultetit të Historisë e Filologjisë në Tiranë.

Vitin e shkuar, profesori ishte nderuar me çmimin “Autori i librit më të mirë studimor” në Panairin e 28-të të Librit për veprën "Faqeve të historiografisë shqiptare" (Onufri), një studim me rëndësi për teorinë dhe metodologjinë e historisë së letërsisë shqipe.

Ndër vepra të tjera të tij janë “Letërsia shqipe si polifoni”, “Duke lexuar letërsinë e traditës”, “Nga romantizmi rrjedhave të realizmit”, “Përmes mendimit historiko-letrar të Çabejt 1999”, “Sprovë për një tjetër histori të letërsisë shqipe”, etj.

Lajmin për ndarjen e tij nga jeta e ka bërë të ditur pedagogia e Universitetit të Tiranës, Lili Sula, e cila, përmes një postimi në Facebook, e cilësoi Xhikun si një njeri dhe studiues të rrallë të letërsisë shqipe. Më tej, Sula shpreh mirënjohjen e saj për profesorin e ndjerë dhe për mësimet që ka marrë prej tij.

"Qofsh në paqe e në dritë të pasosur, profesor Ali Xhiku, njeriu i rrallë, pedagogu dhe studiuesi i shquar i letërsisë shqipe.

Kam filluar punë në Universitetin e Tiranës si asistente e juaja dhe, përgjatë gjithë kësaj kohe, kam mësuar shumë prej jush", shkruan Sula.

Ali Xhiku, i cili ka mbajtur edhe detyrën e drejtorit të Institutit të Kulturës Popullore pranë Akademisë së Shkencave, ishte një nga pedagogët që dha një kontribut të çmuar në studimin e letërsisë shqiptare.

Ai është autor i librit studimor "Faqeve të historiografisë shqiptare" (Onufri), një vepër me rëndësi për teorinë dhe metodologjinë e historisë së letërsisë shqipe.

Po ashtu, ai është autor edhe i shumë librave të tjerë, kryesisht me karakter studimor.