TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Ndahet nga jeta Shkëlzen Topçiu, mjeshtri i restaurimit të objekteve të vjetra kulturore!
Lajmin e ka bërë të ditur në rrjetin social facebook, ministri i Kulturës, Blendi Gonxhja.
Më poshtë postimi i plotë i Gonxhes:
Me hidhërim të thellë morëm lajmin e ndarjes së parakohshme nga jeta të kolegut tonë, Shkëlzen Topçiu, i cili për shumë vite shërbeu me përkushtim pranë Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Tiranë. Gjatë gjithë punëjetës së tij, ai iu kushtua ruajtjes dhe mirëmbajtjes së monumenteve të trashëgimisë kulturore, duke lënë gjurmën e tij në Kalanë e Krujës, Banesën e Libohovitëve, Tyrben e Nuses, Kalanë e Bashtovës dhe në shumë monumente të tjera të rëndësishme të vendit.
I lidhur fort me historinë dhe identitetin e Krujës, Shkëlzeni u dallua si një mjeshtër i aftë i gurit, duke punuar me përkushtim në restaurimin e mureve, kalldrëmeve dhe strukturave tradicionale. Përtej detyrës së tij, ai ishte edhe një promovues i natyrshëm i trashëgimisë kulturore, duke krijuar lidhje të veçanta me vizitorët dhe turistët që vizitonin Krujën, të cilëve u rrëfente me krenari historinë dhe vlerat e qytetit të tij.
Sot humbim jo vetëm një punonjës të përkushtuar, por edhe një njeri të dashur për komunitetin dhe kolegët e tij. Kujtimi i Shkëlzenit do të mbetet i gjallë në monumentet që ndihmoi të ruhen, në veprën që la pas dhe në respektin e të gjithë atyre që patën privilegjin ta njohin. Ngushëllimet më të sinqerta familjes, të afërmve dhe miqve të tij. U prehtë në paqe.