AKTUALITET, 23 Qershor 2026, 12:55

"Tre prioritetet"/ Gogu: Reforma në drejtësi duhet të sjellë rezultate të prekshme për qytetarët

"Tre prioritetet"/ Gogu: Reforma në drejtësi duhet të

Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, ka deklaruar se sfida kryesore e reformës në drejtësi është që investimet e kryera ndër vite të përkthehen në përmirësime konkrete për qytetarët shqiptarë.

Gjatë një tryeze diskutimi me partnerët e sistemit të drejtësisë, Gogu tha se pyetja që duhet të shtrohet sot është se si po ndikon çdo qindarkë e investuar në drejtësi në jetën e qytetarëve.

Sipas tij, Shqipëria ka kaluar nga një reformë e mbështetur kryesisht nga partnerët ndërkombëtarë në një reformë të financuar kryesisht nga shteti shqiptar.

“Pyetja që duhet të ngremë tani, në këtë fazë, është se si po përmirësohet çdo qindarkë e hedhur për drejtësinë në jetën e qytetarit shqiptar. Kjo është sfida jonë. Dhjetë vite më parë, reforma në drejtësi mbështetej nga partnerët tanë ndërkombëtarë, ndërsa sot është një reformë e financuar kryesisht nga shteti shqiptar dhe e mbështetur nga partnerët besnikë. Kjo është e vetmja rrugë drejt shtetit ligjor në vendin tonë. Në vitin 2020, buxheti i drejtësisë ishte 66 milionë euro, ndërsa sot është 135.6 milionë euro, një rritje prej 105% në gjashtë vite. Gjatë kësaj periudhe janë shtuar 709 vende të reja pune në sistemin e drejtësisë.

Mbështetja e partnerëve për periudhën 2025–2026 arrin në 43.8 milionë euro, një kontribut i rëndësishëm që plotëson investimin e shtetit shqiptar. Modeli që duhet të bëhet standard është ky bashkëfinancim dhe ka ende shumë vend për përmirësim, në mënyrë që të arrijmë standardin europian që një vend duhet të ketë për sistemin e drejtësisë. Në sistemin e menaxhimit të çështjeve, shteti shqiptar ka investuar 9.6 milionë euro nga buxheti i shtetit, ndërsa partnerët kanë investuar 2.5 milionë euro. Investimi i qeverisë tregon se ne nuk jemi më në pritje, por jemi partnerë që po e udhëheqin reformën përpara. Ky bashkëfinancim është edhe modeli më i mirë që duhet të ndjekim në fazën e ardhshme. Reforma duhet të shkojë drejt rezultateve të prekshme për qytetarët”, tha Gogu.

Ministri renditi tre prioritetet kryesore të reformës në drejtësi, që janë aksesi në drejtësi, duke nënvizuar se reforma ka vlerë vetëm nëse qytetarët e ndjejnë atë në praktikë. Ai tha se ndihma juridike falas dhe shtrirja e shërbimeve në zonat rurale mbeten fusha ku ka ende shumë punë për të bërë.

Një tjetër fokus, sipas Gogut, është rritja e eficiencës së sistemit dhe transformimi dixhital. Prioriteti i tretë lidhet me garantimin e të drejtave të njeriut. Gogu u shpreh se fondi prej 1.1 milionë eurosh për këtë fushë nuk është i mjaftueshëm, duke e cilësuar atë si sektorin më pak të mbështetur financiarisht, megjithëse prek drejtpërdrejt dinjitetin njerëzor në sistemin e drejtësisë.

“Prioriteti i parë është aksesi në drejtësi dhe reforma ka vlerë vetëm nëse qytetari e ndjen atë. Mendoj se në këtë fushë reforma ende nuk e ka arritur potencialin që ka. Nga ndihma juridike falas te shtrirja e gjerë në zonat rurale, ka ende shumë për të bërë. Qytetarët në këto zona nuk mund të mbeten jashtë sistemit. Jo sepse ligji nuk i mbron, por sepse sistemi nuk arrin t’u shërbejë në kohë dhe pranë vendbanimit të tyre. Ne duhet ta fuqizojmë këtë shërbim. Për rastet e fëmijëve që ballafaqohen me ligjin, duhet të ndjekim modelin skandinav, i cili bazohet në riintegrimin dhe mbrojtjen e këtyre fëmijëve. Duhet të fokusohemi në këtë model, pasi është investim për të ardhmen tonë dhe sfida është ta shndërrojmë atë në një mekanizëm kombëtar. Ndërmjetësimi gjithashtu mbetet nën potencialin që sistemi ofron.

Prioriteti i dytë është eficienca në sistem dhe transformimi dixhital, ku janë investuar 20.2 milionë euro. Kjo është fusha me mbështetjen më të madhe. Çështjet e mbartura, mungesa e statistikave, vakancat dhe nevojat infrastrukturore ndikojnë drejtpërdrejt në përvojën e qytetarëve me sistemin e drejtësisë. Prioriteti i tretë është garantimi i të drejtave të njeriut. Me 1.1 milionë euro, unë besoj se kjo mbështetje nuk mjafton. Kjo mbetet fusha më pak e mbështetur financiarisht nga prioritetet që kemi. Është fusha që prek drejtpërdrejt dinjitetin njerëzor në sistemin e drejtësisë. Shqipëria ka investuar si asnjëherë më parë në sistemin e drejtësisë dhe këtë e tregojnë shifrat, por edhe të gjithë përdoruesit e sistemit”, tha ministri.