AKTUALITET, 10 Nëntor 2024, 09:09

Tre muaj më parë i dëmtuan biznesin, shpërthen eksplozivi në derën e banesës së biznesmenit në Shkodër

Tre muaj më parë i dëmtuan biznesin, shpërthen eksplozivi
Personi që vuri eksplozivin në gusht

Një sasi eksplozivi shpërtheu në orët e para të mëngjesit të sotëm në një banesë në lagjen "Tre Heronjtë' në Shkodër. Shpërthimi ka ndodhur në derën e banesë së Ardian Fierzës, të cilit në gusht iu vu eksploziv te agjensia funerale. 

'Në lagjen "Tre Heronjtë", në derën  e  banesës së shtetasit A. F., në orët e para të mëngjesit  nga persona ende të paidentifikuar është  hedhur lëndë plasëse. Si pasojë ka vetëm dëme materiale” - informoi sot policia e Shkodrës.

Më 29 gusht 2024, një sasi eksplozivi u vu tek dera e agjencisë funerale  në pronësi të Flora Fierza,  e cila sapo ishte hapur. Edhe atëherë shpërthimi nuk shkaktoi viktima, por vetëm dëme materiale.  

Dy ditë më pas policia shpalli në kërkim një 35-vjeçar si autor i vendosjes së tritolit.  Policia e Shkodrës  informoi se shkak për vendosjen e tritolit ishte bërë një borxh që pronarët e agjencisë funerale nuk i kishin shlyer 35-vjeçarit B.P. I riu, sipas bluve të Shkodrës, rezulton me precedent penal për armëmbajtje pa leje.