TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Një dron rus ka goditur një pallat 10-katësh banimi në Rumani, vend anëtar i NATO-s. Lajmi vjen nga Ministria rumune e Mbrojtjes, e cila shpjegon: “Gjatë natës mes 28 dhe 29 majit, Federata Ruse rifilloi sulmet me dronë kundër objektivave civile dhe infrastrukturës në Ukrainë, pranë kufirit lumor me Rumaninë.”
“Njëri prej këtyre dronëve hyri në hapësirën ajrore rumune, u ndoq nga radarët deri në pjesën jugore të qytetit Galați dhe u përplas në çatinë e një pallati, duke shkaktuar zjarr”, shtoi ministria. Shërbimet e emergjencës sqaruan se dy persona mbetën të plagosur.
Ministria e Jashtme rumune denoncoi “një përshkallëzim të rëndë dhe të papërgjegjshëm” nga ana e Rusisë, pasi një dron rus u përplas me një ndërtesë, duke plagosur lehtë dy persona, në Galați, qytet i Rumanisë lindore pranë kufirit me Ukrainën.
“Rumania ka informuar aleatët e saj dhe Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s për situatën dhe ka kërkuar që të merren masa për të përshpejtuar transferimin e kapaciteteve kundër dronëve në Rumani”, shtoi ministria.
NATO deklaroi se do të forcojë mbrojtjen kundër të gjitha kërcënimeve.
“Ne dënojmë papërgjegjshmërinë e Rusisë dhe NATO do të vazhdojë të forcojë mbrojtjen e saj kundër të gjitha kërcënimeve, përfshirë dronët”, shkroi Aleanca në X.
Reagon Tirana zyrtare: Përshkallëzim serioz dhe i papërgjegjshëm nga Rusia, solidaritet i plotë me aleatët
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka reaguar për sulmin rus me dron në Galați të Rumanisë që plagosi dy persona, përfshirë një të mitur.
Ministria shpreh solidaritet ndaj Rumanisë, ndërsa thotë se përshkallëzimi “serioz dhe i papërgjegjshëm” nga Rusia nënvizon “absurditetin dhe koston njerëzore” të luftës së saj ndaj Ukrainës.
“Shqipëria dënon sulmin rus me dron në Galați, Rumani, i cili goditi një ndërtesë banimi dhe plagosi civilë, përfshirë një të mitur.
Shprehim solidaritetin tonë të plotë me popullin dhe autoritetet e Rumanisë dhe u urojmë shërim të shpejtë dhe të plotë të plagosurve.
Ky incident përfaqëson një përshkallëzim serioz dhe të papërgjegjshëm nga ana e Federatës Ruse dhe nënvizon më tej absurditetin dhe koston njerëzore të luftës së Rusisë kundër Ukrainës, pasojat e së cilës vazhdojnë të kërcënojnë sigurinë dhe mbrojtjen e civilëve përtej kufijve të Ukrainës.
Shqipëria do të vazhdojë të qëndrojë në solidaritet të plotë me aleatët dhe partnerët tanë, në mbështetje të përpjekjeve të koordinuara për t'i dhënë fund kësaj lufte në mbrojtje të paqes, sigurisë dhe parimeve themelore të së drejtës ndërkombëtare”, thuhet në deklaratën e shpërndarë në rrjetin X.