TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Jusuf Azemi, kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat, ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për nivelin e pagave dhe sigurisë në vendin e punës për të punësuarit në sektorin privat. Ai ka thënë se punëtorët e sektorit privat kërkojnë të paguhen konform Ligjit për Pagat në Sektorin Publik.
Sindikata e Pavarur e Sektorit Privat të Kosovës, ka kërkuar që punëtorët e sektorit privat të cilët kryejnë shërbime në institucione shtetërore të paguhen sipas Ligjit të Pagave dhe nga marsi pagën ta kenë mesatarisht 400 euro.
Kryetari i kësaj SPSPK-së, Jusuf Azemi ka thënë se punëtorët e sektorit privat janë shumë të zhgënjyer nga vendimet e Qeverisë së Kosovës për pagat.
“Ne kemi disa mijëra punëtorë të cilët kryejnë shërbime për institucionet e Kosovës. Kemi mirëmbajtjen e objekteve të gjitha ministrive, gjitha ambulantave, gjitha fakulteteve. Kërkesa jonë është që të gjithë këta punëtorë të paguhen konform Ligjit të Pagave, e që nënkupton se këta punëtorë që nga muaji mars duhet të paguhen diku rreth 400 euro. Meqë këta punëtorë paguhen direkt nga institucionet e shtetit, andaj kërkojmë që edhe paga e tyre të harmonizohet dhe të jetë konform Ligjit për Pagat”.
Në një konferencë për media të premten, Azemi ka thënë se punëtorët e sektorit privat janë “goditur” shumë nga qeveria në dy vitet e fundit.
“Ne punëtorët e sektorit privat të Kosovës për dy vite jemi goditur fazë pas faze. U goditëm kur shteti ndau mjete për stafin shëndetësor dhe punëtorët e sektorit privat në sektorin shëndetësor nuk u paguan. Është shumë normal, ne lëndën e kemi dërguar në gjykatë”, tha Azemi.
Ai tha se më së shumti është zhgënjyer në momentin e rrëzimit të Projektligjit për Trustin në Kuvendin e Kosovës.
“Çka ishte më e rënda, ishte që disa parlamentarë të Kosovës aq shumë u gëzuan, aq shumë u zgërdhinë, kur Mimoza Kusari-Lila u kthye dhe shikoi nëse dikush prej deputetëve po voton pro këtij ligji dhe po qeshte”.
Azemi ka thënë se zyrën e kryeministrit të vendit Albin Kurti dhe të ministrit të Financave, Hekuran Murati e mirëmbajnë punëtorët e sektorit privat të cilët paguhen vetëm 180 euro.
Kjo sipas tij është shumë shqetësuese, se si qeveria nuk merr masa për këtë çështje.
“Edhe sot derisa po bisedojmë, na vjen keq që duhet t’i përsërisim të dhënat e punëtorëve privat, por edhe punëtorët që mirëmbajnë zyrën e kryeministrit Kurti paguhen me 180 euro. Kjo është një çështje shumë shqetësuese për ne, por më e rëndë është barra e punëtoreve që duhet të vijnë çdo ditë në orar e kohë të caktuar dhe në fund muajit, dihet se ç ‘mund të bëjmë me një pagë prej 180 euro. Me qenë diku në periferi të Kosovës kishim thënë se institucionet tona nuk po dinë se çka është duke ndodhur, por të ndodh kjo pikërisht në zyrën e kryeministrit dhe ministrit të Financave, të cilët janë të thirrur që punëtorëve të sektorit privat t’ua rregullojnë çështjen materiale…”.
Ai tutje tha se punëtorët e sektorit publik janë më të favorizuar se sa ata të sektorit privat. Azemi ka folur edhe për çështje tjera që prekin sektorin privat. /Monitor