AKTUALITET, 12 Shkurt 2024, 14:05

Të liberalizuarit, FTL vendos çmimet sesa do të paguajnë klientët në 20 kv dhe 35 kv

Të liberalizuarit, FTL vendos çmimet sesa do të paguajnë

Asambleja e OSHEE Group miratoi së fundmi çmimet me të cilat Furnizuesi i Tregut të Lirë (FTL) të ofrojë energjinë për klientët e lidhur në tension 20 kv, që janë në treg të parregulluar tashmë prej 1 janarit të këtij viti, si dhe për klientët e lidhur në tension 35 kv.

Burime nga kompania thanë se çmimi për furnizimin me energji për gjithë vitin 2024 për klientët e lidhur në rrjetin 20 kV do të jetë 18.34 lekë/kWh (pa TVSH)  dhe për klientët e lidhur në rrjetin 35 kV çmimi i shitjes 15.90 lekë/kWh (pa TVSH).

Bizneset e lidhura në tension 20 kv që llogariten në 2150 janë të lirë që të lidhin kontratë me Furnizuesin e Tregut të Lirë me këtë çmim vjetor ose me çdo furnizues tjetër privat që u ofron atyre një çmim më të leverdishëm.

Ky grup biznesesh doli në treg të lirë nga ana ligjore në fillim të vitit 2022 por për shkak të krizës së energjisë që çoi çmimet në nivele jashtëzakonisht të larta qeveria vendosi që ti mbante me çmime pjesërisht të liberalizuara duke orientuar një sasi të prodhimit të KESH për këtë grup dhe duke e ofruar atë me çmim prej 12 lekësh mbi të cilin shtoheshin kostot e tjera që përbëjnë formulën sesi llogaritet çmimi.

Për vitin 2022 çmimi mesatar për këtë grup ishte 18.58 lekë/kWh kurse për vitin 2023 ky çmim ishte 18.26 lekë.

Ndërkohë kategoria e bizneseve të lidhura në 35 kv prej vitit 2018 janë në treg të lirë. Ndër vite çmimi i tyre ka variuar sipas ecurisë së tregut duke arritur nivele dukshëm të larta në periudhën e krizës por që në vitin 2023 pati një ulje graduale dhe duke e luhatur këtë çmim mes rreth 15-17 lekë/kWh. Niveli më i ulët i çmimit prej të paktën dy vitesh për këtë grup u arrit në qershor të vitit të shkuar.

Tashmë në tregun e rregulluar vijojnë të mbeten bizneset e lidhura në 6kv dhe 10 kv për të cilat plani për liberalizim vijon të mbetet në fuqi por një afat i saktë se kur do të finalizohet ai për të  nxjerrë edhe këtë grup mbetet ende i pacaktuar./Monitor