AKTUALITET, 12 Maj 2026, 12:29

Tabaku: Integrimi nuk është listë ligjesh dhe propagandë, por reforma reale .Shqipëria po ecën pa opozitën dhe shoqërinë civile

Tabaku: Integrimi nuk është listë ligjesh dhe propagandë,

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ngriti tone të forta kritike ndaj mënyrës sesi qeveria po menaxhon procesin e integrimit europian, gjatë raportimit të kryenegociatores Majlinda Dhuka në Komisionin për Politikën e Jashtme dhe Çështjet Europiane.

Tabaku, e cila ka drejtuar më herët Komisionin e Çështjeve Europiane dhe është angazhuar në procesin e integrimit prej vitit 2009, ironizoi qeverinë duke theksuar se integrimi është kthyer në “kryefjalë propagande dhe premtim elektoral”, ndërsa mungon debati real dhe reformat substanciale.

“Është hera e parë që një raport ka më shumë faqe me listë ligjesh të miratuara sesa një raport serioz për integrimin. Mbi 45 faqe janë vetëm lista ligjesh dhe jo analiza reale për reformën dhe impaktin e tyre,” u shpreh Tabaku.

Ajo theksoi se Parlamenti nuk mund të reduktohet në një “fabrikë ligjesh”, por duhet të garantojë cilësinë dhe efektet e tyre në jetën e qytetarëve.

Në fokus të kritikave të saj ishte lufta kundër korrupsionit dhe funksionimi i reformës në drejtësi. Tabaku deklaroi se qeveria po paraqet një realitet të deformuar për progresin në këtë fushë, duke kujtuar se vetëm 5 rekomandime të GRECO janë përmbushur plotësisht.

“Raporti jep numra hetimesh dhe akuzash, por nuk ka asnjë akuzë në shkallë finale,” tha ajo, ndërsa solli edhe statistika alarmante për sistemin gjyqësor.

“Sot në Shqipëri një çështje administrative në shkallë të dytë zgjat 5326 ditë, ose 14.5 vite për të marrë drejtësi,” deklaroi Tabaku.

Deputetja e PD ndaloi edhe tek SPAK dhe propozimet e mazhorancës për ndryshime në nenin 252 të Kodit Penal, duke pyetur sesi këto nisma pajtohen me benchmark-et e kapitullit 23 të negociatave me BE.

Një pjesë e rëndësishme e diskutimit të saj u fokusua tek prokurimet publike, të cilat ajo i konsideroi si burim kryesor të korrupsionit në vend.

Sipas Tabakut, Shqipëria vazhdon të ketë problem serioz me tenderat pa garë dhe përqendrimin e tyre tek pak kompani.

“Në Shqipëri ka të paktën 14% të procedurave me një ofertues të vetëm, 15% të procedurave pa publikim dhe mbi 60% e vlerës së tenderave shkon tek pak kompani,” deklaroi ajo, duke krahasuar situatën me Serbinë ku, sipas saj, 97.5% e procedurave zhvillohen me garë të hapur.

Ajo përmendi gjithashtu raportet e Komisionit Europian dhe SIGMA-s, të cilat sipas saj evidentojnë mungesën e progresit në kapitullin e prokurimeve publike dhe problematikat që lidhen me AKSHI-n dhe tenderat e teknologjisë së informacionit.

Tabaku ngriti shqetësime edhe për ligjin e porteve strategjike dhe ligjin e investimeve strategjike, duke i konsideruar në kundërshtim me frymën e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit.

“Nuk mund të lejojmë që në emër të integrimit të bëhen përjashtime ligjore dhe pasuritë publike t’i jepen pakicës,” tha ajo.

Në fund të fjalës së saj, deputetja demokrate kritikoi mungesën e transparencës dhe përjashtimin e opozitës dhe shoqërisë civile nga procesi i integrimit.

“Ky proces kërkon dy palë dhe nuk bëhet dot me një palë. Ju flisni për diskutim, por nuk diskutoni as me opozitën dhe as me shoqërinë civile,” deklaroi Tabaku.

Ajo shtoi se për tre vite me radhë ka kërkuar hapjen e procesit negociues dhe ndarjen e dokumenteve me Kuvendin dhe aktorët e interesit, por sipas saj qeveria “i ka mbajtur të mbyllura në sirtar pozicionet negociuese dhe detyrimet e ndërmjetme”.

Transkripti

Të nderuar kolegë,

Për shkak të periudhës së gjatë që jam angazhuar në çështjen e integrimit, prej vitit 2009, kam lexuar shumë raporte të qeverisë, si nga pikëpamja e qeverisë ashtu edhe nga ajo e opozitës. Mund të them me bindje se është hera e parë që një raport ka më shumë faqe me listë ligjesh të miratuara sesa një raport serioz për integrimin.

Mbi 45 faqe të raportit janë thjesht një listë ligjesh, që nuk na japin asnjë sens të reformave të nevojshme dhe as të cilësisë së tyre. Parlamenti nuk është vetëm fabrikë ligjesh, por ka edhe përgjegjësinë të kujdeset për këto ligje, për atë që prodhojnë dhe për impaktin që kanë.

Dua të fokusohem, për efekt kohe, tek dy tema: lufta kundër korrupsionit dhe të drejtat e njeriut.

Ju përmendët një listë të gjatë angazhimesh dhe detyrash të kryera në lidhje me reformën në drejtësi dhe detyrimet që qeveria ka kryer për gjyqësorin dhe prokurorinë. Gjithsesi, raporti dhe vetë ju harruat të thoni se vetëm 5 rekomandime të GRECO janë përmbushur plotësisht, ndërsa pjesa tjetër jo. Mund të themi se 6 rekomandime të GRECO nuk janë përmbushur.

Nuk e di ku i gjetët të dhënat në lidhje me “track record”-in e çështjeve gjyqësore, sepse, ashtu siç e thoni edhe vetë në raport, në një “footnote”, nuk keni të dhëna të plota. Edhe informacioni që na keni prezantuar këtu nuk është i plotë dhe i përditësuar.

Por ajo që ka rëndësi për Shqipërinë është se kohëzgjatja e çështjeve administrative në shkallë të dytë është 5326 ditë, ose të paktën 14.5 vite për të marrë drejtësi. Përgjegjësia për këtë problem bie mbi ju si qeveri, që nuk po dini t’i jepni drejtim.

Së dyti, menaxhimi digjital i çështjeve gjyqësore nuk është arritje, por një kontratë e firmosur që hyn në fuqi në vitin 2030 dhe jemi larg realitetit të praktikës.

Një element i rëndësishëm që lidhet me reformën në drejtësi është SPAK. Qeveria ka propozuar ndryshimin e nenit 252 për pezullimin e ministrave dhe ndërkohë në raport thoni se jeni shumë mirë. Si pajtohet propozimi i kryeministrit dhe deputetëve të mazhorancës me benchmark-un numër 3 të kapitullit 23?

Raporti jep numra hetimesh dhe akuzash, por nuk ka asnjë akuzë në shkallë finale.

Ka një problematikë serioze në luftën kundër korrupsionit që lidhet me prokurimet publike. Shqipëria ka rënë me 11 vende në luftën kundër korrupsionit.

Tek çështja e prokurimeve publike dhe korrupsionit që buron prej tyre, siç lexohet në çdo raport të SPAK, dëgjova edhe dje qeverinë që pretendon se e ka marrë seriozisht këtë çështje. Por ju jeni koshientë që nga viti 2018 kapitulli i prokurimeve publike konsiderohet mesatarisht i përgatitur dhe sipas raporteve të Komisionit Europian nuk ka asnjë përmirësim.

Komisioni Europian, në mënyrë të përsëritur, ka ngritur shqetësime specifike për AKSHI-n dhe teknologjinë e informacionit, si dhe për tenderat e zbuluar aty. Në fakt, është një çështje që ndërlidh krimin e organizuar me korrupsionin.

I dëgjova shifrat tuaja dje, por të dhënat flasin ndryshe. Në Shqipëri, të paktën 14% e procedurave të prokurimeve publike kanë vetëm një ofertues. Të paktën 15% e procedurave zhvillohen pa publikim dhe mbi 60% e vlerës së tenderave shkon tek pak kompani. Për krahasim, Serbia ka 97.5% të procedurave me garë të hapur.

Raporti i fundit i SIGMA e përmend prokurimin publik si sektorin më problematik. Nga ju nuk dëgjova asnjë fjalë për këtë problem dhe asnjë angazhim për një reformë të plotë.

Të përafroni një ligj nuk do të thotë të bëni reformë të plotë. Ka disa ligje që kjo qeveri ka miratuar dhe për të cilat unë kam ngritur shqetësime, duke marrë edhe përgjigje nga delegacioni europian për të paktën 10 ligje të tilla, që janë në shkelje të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit dhe të detyrimeve që ju si qeveri keni marrë.

Këtu dua të ndalem tek ligji i porteve strategjike dhe të citoj përgjigjen që kam marrë: “Shqipëria nuk bën më përafrim legjislacioni”.

Ky komision duhet të kishte sjellë për diskutim ligjin për përjashtimin e porteve për investitorët strategjikë, ashtu siç duhej të sillte edhe ligjin për AKSHI-n për të parë përputhshmërinë me Bashkimin Europian.

Nuk mund të lejojmë në këtë moment lëvizje të tilla, sikurse me ligjin e investimeve strategjike, ku pasuritë publike po u jepen strategjikisht pakicës.

Dua të ndalem edhe tek mbrojtja e të drejtave të njeriut dhe GDPR. Ligji ekziston në letër, por nuk zbatohet. Komisioneri ka sjellë disa pika, por ende nuk kemi zbatueshmërinë e tyre dhe kjo tregon sa larg është cilësia e ligjeve nga zbatimi i tyre.

Dëgjova zv.kryetarin e Kuvendit që i bëri thirrje opozitës të mos hedhë baltë. Në fakt, ne si opozitë kemi ngritur një grup pune për paketën e medias, me angazhim maksimal, duke marrë mbi vete edhe kosto politike. Morëm përsipër edhe dekriminalizimin e shpifjes, siç e kërkoi Komisioni Europian, por qeveria shkoi drejt një dekriminalizimi të pjesshëm që, sipas raporteve, nuk po zbatohet.

Ne nuk jemi dekor. Angazhohemi për reforma serioze dhe angazhime të plota. Por kur ju ecni në mënyrë të njëanshme, kjo nuk është më në dorën tonë.

Vazhdojmë me të njëjtën logjikë: opozita si dekor. Për shembull, me ndryshimet në Kodin Penal ju thatë se janë të pjesshme. Pse të pjesshme? Nuk do të ketë një diskutim të plotë?

Thatë gjithashtu se 8 paketa ligjore do të debatohen në Parlament. Por kur do t’i mësojmë ne si Parlament këto? Kur do ta mësojmë agjendën legjislative europiane?

Brenda ditës kemi parë 40 deputetë të mazhorancës të firmosin ligje dhe të na thuhet se janë për integrimin. Ky proces kërkon dy palë dhe nuk bëhet dot me një palë.

Ju flisni për diskutim, por nuk diskutoni as me opozitën dhe as me shoqërinë civile. Kam rreth tre vite që ju ftoj të hapni procesin me të gjitha palët, por ju i mbajtët të mbyllura në sirtar pozicionet negociuese dhe detyrimet e ndërmjetme.

Sot po e diskutojmë për herë të parë këtë temë. Por kjo duhet të ndahej me Kuvendin dhe me shoqërinë civile, gjë që nuk ka ndodhur.

Kam edhe tema të tjera, por do t’i diskutoj në seancën plenare.

Faleminderit.